×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Louise Gluck, poete nobeliste: “Shëtitje në mesnatë”, poezi

    Insajderi
    21 May 2023 - 17:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përktheu: Rajmonda Çollaku

    Eshtë plakur tashmë,

    djemtë e rinj nuk i afrohen,

    ndaj netëve është e lirë,

    dhe rrugët aq të frikshme dikur mbrëmjeve,

    tanimë janë të sigurta sa lëndina.

    Mesnatës, qyteti hesht.

    Hëna pasqyrohet mureve të gurtë;

    mbi trotuarë dëgjohen zhurmat e ethshme

    të burrave që rendin drejt grave, drejt nënave; në këtë orë

    portat mbyllen, dritaret nxijnë.

    Tek kalojnë, ata nuk e vënë re.

    Eshtë si fija e fishkur e barit lëndinës me bar.

    Sytë e saj që përdhe gjithmonë vështruan,

    sot janë të lire të harbojnë ngado.

    Kur lodhet nga rrugët dhe bën mot i mirë

    ajo baret fushave në të dalë të qytetit.

    Ngandonjëherë verës, ikën gjer te lumi.

    Dikur rinia mblidhej jo larg prej këndej,

    por shira nuk kanë rënë dhe lumi vjen ujëpakë

    ndaj bregu është braktisur –

    Bëheshin piknikë qëmoti.

    Buzëmbrëmjes djem e vajza të ndarë

    në çifte

    çapiteshin drejt pyjeve,

    andej nga muzg është përherë –

    Do jenë braktisur pyjet tanimë –

    trupat e lakuriqtë do kenë gjetur të tjera

    skuta për t’u fshehur.

    Në lumë ka aq ujë sa qielli i mbrëmjes

    të krijojë mozaikë mbi gurët e hirtë. Si një gur mes gurësh

    shkëndrit hëna. Dhe era zë fryn;

    rreh pemët e vogla të rritura ndanë bregut.

    Kur vështron një trup, shikon një të kaluar.

    Kur trupi më nuk shihet,

    ç`histori mundohej të rrëfente, humbet –

    Në të tilla netë ajo zbret gjer te ura,

    pastaj kthehet.

    Ende gjithçka kundërmon behar.

    Dhe trupi i saj rishtas shëmbëllen në trupin e parë

    të vashës së re,

    tek feks përfund rrobës së lehtë verore.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark