×
  • Showbiz
  • Show / Showbiz

    “Luiz Ejlli të çon të fala”, godina në Shirokë që çoi palët në SPAK, këto janë mesazhet

    Insajderi
    28 June 2024 - 22:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mjaftoi një kallëzim i depozituar për kreun e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Shkodër, Ervin Hoxha që të na prezantonte me një panoramë që na është denoncuar shumë herë për kryeqendrën e veriut.

    Këtë herë, i përfshirë në këtë skemë rezulton të jetë dhe fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP, Luiz Ejlli.

    Sipas kallëzimit të depozituar, punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit kanë konstatuar një ndërtim pa leje në zonën e Shkodrës, që në letra rezultonte në pronësi të një 79-vjeçari të identifikuar si Zef Lgataj.

    Në kallëzim thuhet se nisur nga fakti që shkelja për ndërtim të objektit të kundërligjshëm i atribuohet një personi në moshë të thyer, natyrshëm ka lindur dyshimi se ndërtuesit e vërtetë janë personazhe të tjerë. Dyshimet kanë rënë mbi fisin Bajri, anëtarët e të cilit janë persona me precedent penalë dhe ndër vite të dyshuar si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.

    Situata komplikohet më pas. Në momentin që inspektorët kanë adresuar një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër duke kërkuar mbështetje për prishjen e ndërtimit të kundërligjshëm, kryeinspektori Ismaili është kontaktuar nga Luiz Ejlli, i cili i ka kërkuar takim urgjent.

    Në bisedë, siç thuhet në kallëzim, këngëtari Luiz Ejlli është shprehur se është informuar nga punonjës të Policisë Shkodër për operacionin për shëmbjen e godinës dhe ka kërkuar që të mos vijohej, pasi brenda pak javësh do ta përfshinin në proces legalizimi. Luiz Ejlli është prezantuar si bashkëortak me disa miq të tij në Shkodër në këtë godinë, pa dhënë emra dhe duke konfirmuar kështu faktin që 79-vjeçari është thjesht pronari fiktiv.

    Në një nga pikat e kallëzimit, bëhet me dije se Luiz Ejlli ka kryer një telefonatë në prezencë të inspektorëve me një person që është dëgjuar të thotë: Nuk ka mbet gjë tjetër veçse ta zgjidh me armë!

    Kush ishte ky person?

    Të gjitha këto janë adresuar në Policinë e Shkodrës, por nuk ka pasur asnjë reagim. Ndërhyrjet nga Luiz Ejlli vijonin, përmes mesazheve të ndryshme.

    Në momentin që nisi inspektimi në fabrikat e produkteve të ndërtimit, Luiz Ejlli ka telefonuar kryeinspektorin Ismaili dhe këtë herë jo duke u futur mik, por duke e vënë në trysni me fjalët: Paske dërguar njerëz në fabrikat e betonit, është mirë mos me e ndjek këtë çështje, po e bën personale!

    Operacioni vijoi, godina u shemb dhe 79-vjeçari u procedua për vjedhje të energjisë elektrike, pasi u mor në pyetje dhe pranoi që ishte ai që po kryente punimet pa leje.

    Në kallëzim shkruhet gjithashtu se inspektorët kanë vijuar detyrat normalisht dhe pse kanë dëgjuar që ndërtimi që prishën ishte në pronësi të anëtarëve të grupit të Bajrave në Shkodër dhe se ndërhyrja e Luiz Ejllit ishte bërë sepse i ishte premtuar një pjesë e atij ndërtimi, nëse do të arrinte ta shpëtonte nga prishja. Ndërsa tashmë që gjithçka kishte përfunduar, Ismaili priste hakmarrjen kundrejt tij.

    Në datën 22 nëntor të vitit 2013, në IKMT ndodhën ndryshime, Agim Ismaili u lirua nga detyra dhe detyrën e mori Ervin Hoxha.

    Krejt papritur në celularin e ish-kryeinspektorit vjen një tjetër mesazh kërcënues me përmbajtjen: Të fala nga objekti në Zogaj shumë dhe Luiz Ejlli të çon të fala, do këndojë për ty, faleminderit shumë respekt.

    Më vonë, të tre inspektorët që morën pjesë në prishjen e godinës u liruan nga detyra.

    Tashmë Luiz Ejlli, fituesi i edicionit të dytë të Big Brother VIP po hetohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

    Hetimet kanë nisur dhe për zotin Hoxha, por ky rast ngre shumë pikëpyetje mbi lidhjet e autoriteteve me grupet lokale. Ky është vetëm një rast që na paraqet panoramën e ndërtimeve në zonat turistike e piktoreske të vendit.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Showbiz
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark