×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Lushaku-Sadriu: Qeveria po bën propagandë mashtruese me gratë viktima të dhunës

    Insajderi
    26 November 2023 - 17:47
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu e ka akuzuar Qeverinë e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurtin se po bën fushatë propaganduese me gratë viktima të dhunës.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se viteve të fundit dhuna ndaj grave ka shënuar rritje.

    “Dje, filluan 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, përgjatë viteve të fundit dhuna ndaj grave është duke shënuar rritje. Ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti, shteti jonë ka dështuar të marrë masa për parandalimin e dhunës ndaj grave. Gati çdo e dyta grua ka përjetuar dhunë në familje. Në këtë katrahurë mosveprimi, dje Ministria e Drejtësisë, duke u dërguar mesazhe në telefona privat qytetarëve të Kosovës dhe duke ju thënë se gjoja Ministria paska ashpërsuar dënimet, bëri propagandë mashtruese duke dashur ta prezantojë veten si shpëtuese të grave”, shkruan ajo.

    “Me këtë rast, Qeveria Kurti dëshmoi që është mashtruese- se nuk është në kompetencën e saj ashpërsimi i dënimeve; dhe është e paaftë- se nuk ka ka asnjë rezultat në ato që ka kompetencë”, shtoi ajo.

    Lushaku-Sadriu ka theksuar se “paaftësia” qeverisëse e krerëve aktual është e dëmshme.

    “Këta janë qeveritarë që as nuk dinë e as nuk mësojnë. Veç mashtrojnë. Padituria e tyre është e frikshme. Paaftësia e tyre qeverisëse është e dëmshme. E propagandën mashtruese e kanë të neveritshme”, shkroi ajo.

    Mes tjerash, ajo ka theksuar se sot Ministria e Drejtësisë duhet të japë dy përgjigje.

    “A e ka siguruar sistemin elektronik të monitorimit të burgosurve? Sa buxhet enkas ka ndarë për tu ngritur kapacitetet e gjyqtarëve për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje?”.

    Teksa përmend raportin e BE-së për Kosovën, ajo tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë për dhunën në familje.

    “Se sa ka shënuar arritje Qeveria për të adresuar dhunën me bazë gjinore, tregojnë rastet e vrasjeve makabre në dy vitet e fundit të grave nga ish të burgosur të pambikëqyrur; po ashtu, tregon Raporti i BE-së për Kosovën i publikuar këtë muaj, e që konstaton mungesë vullneti e dështim të institucioneve në adresimin e dhunës në familje. Është për keqardhje se si Qeveria bën fushatë politike me gratë viktima të dhunës, duke bërë kështu propagandë mashtruese me një çështje kaq të ndjeshme; çështjen e dhunës ndaj grave”, shkroi Lushaku-Sadriu.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark