Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet dhe debatet që, sipas tij, po zhvillohen rreth partisë, duke theksuar se LDK-ja i përket anëtarësisë dhe se rikthimi i saj do të vijë përmes një marrëveshjeje të madhe politike.
Haziri tha se i kupton të gjithë ata që merren me LDK-në, duke dhënë këshilla se si duhet të sillet partia, përfshirë edhe ata që, sipas tij, përdorin etiketime të ndryshme ndaj figurave brenda saj.
“E di saktë për kënd e bëjnë e për çfarë agjendash. Punë përvoje, po get. Po bahen 38 vjet në politikë”, shkroi ai.
Ai theksoi se i kupton më së shumti aktivistët dhe militantët që, sipas tij, e duan LDK-në me bindje dhe dëshirojnë ta shohin sërish forcën e parë politike.
“Pa dalë e para, asnjë kryetar nuk e lënë rehat, duke ia kërku dorëheqjen”, u shpreh Haziri.
Në anën tjetër, deputeti i zgjedhur tha se nuk i kupton ata që dikur e lartësonin LDK-në, ndërsa më pas, sipas tij, “shkruan nekrologji” për partinë.
“Mos u lodhni shumë, se LDK i takon anëtarësisë e jo funksionarëve”, deklaroi ai.
Haziri vlerësoi se LDK-ja është e aftë të përballet me sfidat e Republikës përmes debatit të brendshëm, marrëveshjeve politike dhe demokracisë së brendshme.
Sipas tij, periudha pas pavarësisë dhe pas epokës së Ibrahim Rugovës ka dëshmuar një gjë të qartë.
“Pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje. Stabiliteti e normalizimi i Republikës kalon përmes zyrave të LDK-së. Ia kemi borxh anëtarësisë dhe të ardhmes së Republikës”, shkroi ai.
Në fund të reagimit, Haziri u shpreh i bindur se koha i ka dhënë të drejtë në qëndrimin e tij se rikthimi i madh i LDK-së do të ndodhë “nga lart-poshtë”, përmes një marrëveshjeje të madhe politike dhe pa dëmtuar demokracinë e brendshme të partisë.
Ai e përmbylli mesazhin duke kujtuar rolin historik të LDK-së, duke thënë se ajo ishte “parti ringritëse në një kohë të pakohë”, pasi, sipas tij, kur të tjerët ishin dorëzuar, LDK-ja nisi ringritjen e shoqërisë së organizuar.