Insajderi
Botë

Macroni shpërthen ndaj liderëve të huaj: Po shfrytëzojnë trazirat në Francë për përfitime elektorale

Insajderi
21 October 2026 - 23:50
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Macroni shpërthen ndaj liderëve të huaj: Po shfrytëzojnë trazirat në Francë për përfitime elektorale
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka akuzuar liderë të huaj se po shfrytëzojnë trazirat që shpërthyen në mbarë vendin të shtunën për qëllime elektorale, ka raportuar BBC.

Pa i përmendur me emër, Macron tha se këta liderë po bëjnë fushatë për zgjedhjet e ardhshme “në kurriz të Francës”, përmes komenteve të tyre lidhur me dhunën që shpërtheu në margjinat e protestave kundër rritjes së kostos së jetesës.

Gjatë një vizite në Lindjen e Mesme, ai iu referua atyre si “liderë që janë në fazë fushate, qoftë këtu në rajon, qoftë në anën tjetër të Atlantikut”.

Kjo u interpretua si një aludim i qartë ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili përballet me zgjedhje parlamentare javën e ardhshme, si dhe ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, në një kohë kur zgjedhjet e mesmandatit në SHBA mbahen muajin e ardhshëm.

Macron deklaroi se këta liderë, të cilët nuk i emërtoi, janë ndikuar nga video të rreme të krijuara përmes inteligjencës artificiale, që lidhen me trazirat në Francë.

Që nga fillimi i trazirave që përfshinë Parisin dhe qytete të tjera, përfshirë Lionin, Marsejën dhe Nicën, afro 150 persona janë burgosur, ndërsa më shumë se 800 të tjerë janë dërguar para gjykatave.

Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje të përleshjeve të ashpra mes protestuesve të dhunshëm, të maskuar, dhe policisë. Gjithashtu, janë publikuar pamje të dëmtimit të pronave dhe plaçkitjes së dyqaneve.

Qeveria franceze ka pranuar se policia kishte “humbur kontrollin” gjatë dhunës, e cila pasoi javë të tëra protestash të nxënësve lidhur me kushtet në shkollat e mesme.

Pas këtyre zhvillimeve, Macron u zotua se autoritetet do të jenë “të palëkundura” ndaj “agitatorëve nga grupe të ekstremit të majtë”, të cilët ai i bëri përgjegjës për pjesën më të madhe të trazirave.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark