×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Maloku i KPK-së e “godet” Osmanin për çështjen e kryeprokurorit: Ka dështuar Zyra e Presidentit

    Insajderi
    28 December 2023 - 12:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku tha se për mosdekretimin e kryeprokurorit të Shtetit ka dështuar Zyra e Presidentes dhe jo institucioni të cilin ai e udhëheq.

    Maloku tha se Presidentja nuk ka pasur mandat kushtetues që të refuzojë dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Nuk mendoj se Këshilli ka dështu tek dekretimi apo mosdekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit. Unë mendoj që ka dështu pikërisht Zyra e Presidentit. Nuk e ka pas atë të drejtë as Zyra as Presidentja, të paktën nuk e ka atë mandat kushtetues që del për me e refuzu dekretimin pas një procesi që ka pas Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe shihni të gjithë materien çfarë është sot”, tha Maloku.

    Maloku theksoi se ata kanë edhe një opinion nga Komisioni i Venecias, ku sipas tij thuhet se Këshillat kanë rol përmbajtjesor në rastet e dekretimeve të pozitave të larta, ndërsa Presidenti ka vetëm rolin ceremonial.

    “Ne e kemi edhe një opinion të Komisionit të Venecias, ku thotë në rastet e dekretimit për pozita të larta, është fjala për kryetar të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillat kanë rol përmbajtjesor, ndërsa Presidenti ka rol formal krejt ceremonial. Do të thotë, nuk ka mundësi këtu Presidenti ta vlerësojë procesin që e kanë detyrim Këshillat, qoftë Këshilli Gjyqësor, qoftë Këshilli Prokurorial. Gjithnjë po flas për dy pozitat që janë e që i takon Presidentes dekretimin”, tha Maloku.

    Kryesuesi i KPK-së, tha se dështimi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit është në domenin e Presidentit.

    “Ne mendojmë se për dështimin deri tash apo shtyrjes që ka ba Presidentja deri tash është dështim që del plotësisht në domenin e Zyrës së Presidentit, por jo të Këshillave për shkak se ajo ka majtë më shumë se një vit e gjysmë kur ka njoftu Këshilli në një njoftim formal pse nuk e ka bërë dekretimi. Prandaj, ne këtë çështje nuk kishim me e pa në atë aspektin se Këshilli ka dështu, assesi por ne mendojmë se Presidenti ka dështu”, tha kryesuesi i KPK-së.

    Ndryshe, gjatë konferencës vjetore të KPK-së, Maloku tha se në fillim të vitit 2023, KPK-ja ka finalizuar listën me 21 kandidatë më të suksesshëm për prokurorë të cilët edhe janë dekretuar nga Presidentja.

    Ai tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka avancuar edhe 22 prokurorë dhe 3 të tjerë janë transferuar nëpër prokuroritë e Kosovës.

    “Këshilli, përmes rrugëve ligjore, ka avancuar 22 prokurorë dhe transferuar 3 të tjerë nëpër prokuroritë e Kosovës, ndërsa në proces e sipër janë edhe dy procese në avancim”, tha kryesuesi i KPK-së.

    Maloku potencoi se një prej objektivave të KPK-së ka qenë edhe llogaridhënia, profesionalizmi dhe disiplinimi i prokurorëve, e që sipas tij, gjatë vitit 2023 KPK ka pranuar nëntë kërkesa për fillim të procedurave disiplinore ndaj prokurorëve.

    “Andaj, gjatë vitit 2023, KPK ka pranuar 9 kërkesa për fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe ka themeluar 9 panele hetimore. KPK deri më tani përmes paneleve hetimore ka zhvilluar procedura disiplinore dhe ka shqiptuar masa adekuate disiplinore ndaj prokurorëve konform ligjit mbi përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai, duke theksuar se përmes komisionit për vlerësim, gjatë vitit 2023 është finalizuar vlerësimi i përformancës për 56 prokurorë.

    Ai tha se sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës 9-mujore të këtij viti, nga 498 raste të korrupsionit që kanë pranuar, ka zgjidhur 335 prej tyre apo 72%.

    Ndërsa sa i përket krimeve ekonomike, Maloku tha se nga 290 raste të pranuara, i kanë zgjidhur 230 prej tyre, apo 79 %.

    Ndryshe, më 17 tetor 2023, në një konferencë për medie, Presidentja Vjosa Osmani bëri të ditur se e ka njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës se duke u bazuar në shkeljet që janë evidentuar në proces, nuk mund ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.=

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark