×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Manastiri i Deçanit: Dhuna në veri kërcënon stabilitetin dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve

    Insajderi
    19 June 2023 - 11:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Manastiri i Deçanit, ka thënë se tensionet në veri janë duke penguar dialogun e vazhdueshëm dhe sipas tyre, në këtë mënyrë nuk mund të sigurohet një ekzistencë paqësore për të gjitha qytetarët.

    Me anë të një komunikate, Manastiri potencoi se sundimi i ligjit është thelbësor, por ai kurrë nuk duhet të përdoret si pretekst ‘për të shtypur njerëzit përmes veprimeve policore’.

    “Me shqetësim të thellë u bëjmë thirrje urgjentisht të gjitha palëve të përfshira që të sigurojnë që çështjet e përshkallëzuara në veri të Kosovës të adresohen me mjete paqësore. Shprehim dhimbjen tonë të sinqertë për të gjithë ata që kanë pësuar lëndime apo ndonjë formë keqtrajtimi në javët e fundit, akte të cilat i dënojmë pa mëdyshje. Ne gjithashtu qëndrojmë kundër burgosjes së padrejtë të çdo individi për arsye të pabaza dhe të rreme, si dhe kundër keqtrajtimit të pretenduar të tyre në ambientet e paraburgimit. Ky ka qenë një mesazh konsistent i peshkopit tonë Teodosije dhe klerit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë në javët e fundit. Kisha jonë qëndron e palëkundur me popullin e saj dhe u bën thirrje të gjithëve që të shprehin pakënaqësinë e tyre legjitime kundër çdo padrejtësie në mënyrë paqësore dhe dinjitoze”, thuhet në komunikatë.

    Sipas tyre veprimet policore dhe retorika nxitëse nuk mund të jenë kanale për stabilitetin në Kosovë, as nuk mund të ndihmojnë në ndërtimin e besimit në mesin e popullatës. Vazhdimi i situatës aktuale, e karakterizuar nga dhuna, sipas Manastirit të Deçanit e kërcënon stabilitetin dhe sigurinë më të gjerë të të gjithë qytetarëve.

    “Sundimi i ligjit është thelbësor, por ai kurrë nuk duhet të përdoret si pretekst për të shtypur njerëzit përmes veprimeve policore. Metoda të tilla, kudo në botë, në mënyrë të pashmangshme japin rezultate kundërproduktive dhe çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm. Populli ynë i meriton të drejtat e tij të plota për të jetuar në paqe dhe për të gëzuar mbrojtjen e të drejtave të tyre kolektive dhe trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e garantuara ndërkombëtarisht të dakorduara më parë. Ky tension pengon dialogun e vazhdueshëm dhe nuk mund të sigurojë një ekzistencë paqësore për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh origjinën e tyre etnike”, thuhet tutje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark