×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Manipulimi i Durmishit me vendimin kontradiktor të OSHP’së, i fsheh faqet ku tregohen shkeljet ligjore gjatë tenderimit

    Insajderi
    27 December 2023 - 17:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka manipuluar duke e publikuar veç njërën faqe të të vendimit kontradiktor të OSHP’së lidhur me tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.

    Durmishi, në publikimin e tij në Facebook, thotë se vendimi i OSHP’së është në favorin e Ministrisë së Infrastrukturës, por injoron evidentimin e shkeljeve ligjore gjatë dhënies së tenderit 35 milionë eurosh, që i ka bërë “Gjykata e Tenderëve”, pikërisht në të njëjtin vendim.

    Madje, në të njëjtin vendim Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që t’ia revokojë certifikatën Zyrtarit Përgjegjës të Prokurorimit në MMPHI, pikërisht për shkak të shkeljeve ligjore që ka gjetur në dhënien e tenderit për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Besi-Podujevë.

    Në kohën kur i nënshkruam kontratat dhe filluam punimet u bë shumë zhurmë gjithandej nëpër media. Bëhej fjalë për një ankesë në OSHP, nga një kompani e cila nuk kishte të drejtë ankese, sepse nuk ishte lider i konsorciumit dhe nuk ishte i autorizuar që të përfaqësonte konsorciumin. Ne në atë kohë e sqaruam këtë çështje dhe me të drejtë i kishim nënshkruar kontratat. Sulmoheshim vazhdimisht me muaj të tërë sepse dikujt i pengonte suksesi ynë në ndërtimin e kësaj rruge. Atje punimet po zhvilloheshin përtej dinamikës së planifikuar. Dhe tani e kemi edhe vendimin e OSHP-së, që është në favorin tonë”, ka shkruar Durmishi në Facebook, duke reaguar vetëm disa orë pasi gazeta Reporteri i ka kërkuar atij dhe Ministrisë së Infrastrukturës sqarime në lidhje vendimin e 4 dhjetorit të OSHP-së.

    “Ne po ecim përpara e nuk po ndalemi e rruga Prishtinë-Podujevë vitin e ardhshëm do të jetë e përfunduar”, ka shkruar tutje zëvendësministri i Infrastrukturës.

    Megjithatë, Durmishi në postimin e tij nuk i ka publikuar edhe 8 faqet tjera, nga 9 sosh në total, të këtij vendimi kontradiktor të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

    Në faqet që “i ka fshehur” Durmishi, OSHP’ja evidenton një nga një serë shkeljesh të mëdha në dhënien e tenderit në fjalë, edhe pse, përkundër tyre, OSHP’ja në vendimin e tij ka refuzuar ankesën e operatorit ekonomik “Sallahu” ndaj “Vendimit për dhënie të një kontratë ose të një konkursi të projektimit, “Zgjerimi i rrugës Nacionale N25, Prishtinë- Besi – Podujevë, Loti 0,1, 2, 3 dhe strukturat Lot 5” me numër të prokurimit 205-23-21-5-1-1”, iniciuar nga Ministria e Infrastrukturës, pasi paneli shqyrtues i OSHP’së vlerësoi se lënia në fuqi e kontratës në fjalë është në interesin publik.

    Paneli konsideron se megjithatë AK nuk ka vepruar në harmoni me kërkesat e nenit 112 (efekti pezullues i ankesave) dhe se në ketë rast gjen zbatimi aplikimi i masave ndëshkimore ndaj AK në kuptim të nenit 105, paragrafët (2.1; 2.2; 2.15) të LPP sipas të cilit OSHP ka kompetenca, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të këtij ligji dhe të hetojnë dhe të përcaktojnë faktet që kanë shkaktuar ankesat e tilla, lidhur me nenin 25, paragrafi 9, të LPP sipas të cilit “në bazë të një kërkese nga një autoritet kontraktues ose OSHP, KRPP-ja vendos nëse janë plotësuar kushtet e kualifikimit të specifikuara në nenin 23 apo janë bërë shkelje të rënda të këtij ligji ose rregullave të prokurimit për një certifikatë profesionale të prokurimit””, thotë vendimi i OSHP’së.

    Neni 23 krijon efekt detyrues, andaj, sipas vendimi të OSHP’së, nënshkrimi i një kontrate përkundër afatit dhe/ose efektit pezullues me rastin e ushtrimit të një ankese, përbën së paku mungesë të etikës profesionale.

    Për këtë, OSHP’ja ka kërkuar përmes vendimit të njëjtë që “të iniciohet procedura për revokim të certifikatës ndaj Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit, për shkak të shkeljeve të evidentuara si më poshtë në arsyetimin e këtij vendimi, konform paragrafit 9, neni 25, i LPP”.

    Zyrtarit Përgjegjës i Prokurimit në MMPHI, në kohën kur është dhënë tenderi në fjalë për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë ka qenë Nexhat Krasniqi i njohur si “Baba i Tenderëve”.

    Megjithatë, më pak se një javë nga vendimi i OSHP’së, Ministria e Infrastrukturës veç se kishte njoftuar se Krasniqin e ka larguar krejtësisht nga Shërbimi Civil. Por jo për shkak të shkeljeve të tij si shef i Prokurorimit, por pas sanksionimit të “Babës së Tenderëve” dhe familjes së tij nga SHBA’ja për shkak të përfshirjes së Krasniqit në “korrupsion të madh”.

    Nexhat Krasniqi u përfshi në listën e zezë të SHBA’së më nëntor 2023. Ai ishte drejtor i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës deri atë ditë. Në MMPHI, po të njëjtën ditë u pezullua, porse u rikthye në punë disa ditë më vonë. Nga detyra e drejtorit të Divizionit të Prokurimit, atij iu ndërrua pozita në drejtor të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që ishte më e lartë sesa pozita paraprake.

    Pyetjet që e bënë Hysen Durmishin të reagojë duke manipuluar 

    Vetëm disa orë para se Hysen Durmishi të reagonte në Facebook, atij dhe shefit të tij në Ministri, Liburn Aliut, Gazeta i ka kërkuar sqarime, për të dytën herë brenda një jave, pikërisht në lidhje me vendimin nr. 0397/2023 të OSHP’së.

    Pyetjet e njëjta, Durmishi dhe Ministria e Infrastrukturës i kishin pranuar nga Gazeta edhe me 22 dhjetor 2023. Ministrinë e Infrastrukturës ishte pyetur se çka do të ndërmarrë për “të korrigjuar” procesin tenderues në të cilin OSHP-ja me vendim ka evidentuar shkelje.

    Pyetjet janë injoruar nga Durmishi dhe të tjerët në Ministri, dhe i pari ka zgjedhur Facebook-un që të manipulojë ndjekësit e tij dhe të propagandojë rreth vendimit kontradiktor të OSHP’së.

    Për vendimin e 4 dhjetorit, qysh nga 22 dhjetori është kërkuar sqarim edhe nga OSHP’ja. Këta të fundit, tek të mërkurën kanë konfirmuar se “në lidhje me pyetjet tuaja do të merrni përgjigje në afat ligjor“.

    Derisa, KRPP-ja e cila në vendimin e OSHP’së implikohet në parregullsi gjatë dhënies së tenderit, kanë refuzuar të përgjigjen në disa pyetje të gazetës me arsyetimin se: “drejtohu në OSHP, me këtë kërkesë sepse po e mendoj e keni adresuar gabim“./Reporteri

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark