×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi s’kanë probleme me mungesë të materialit për pasaporta, a gënjyen Kurti dhe Sveçla?

    Insajderi
    13 January 2023 - 10:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Edhe shtetet e tjera kanë pasur vështirësi të tilla, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pyetur rreth mungesës së materialit të parë për furnizim me pasaporta, temë kjo e cila u bë brum për debat të ashpër në vend, shkruan Insajderi.

    Xhezair Dashi

    “Ministria e Punëve të Brendshme për shkak të mungesës së materialit për pasaporta është gjendur në një situatë të pazakonshme, e cila nuk është e pa zakonshme në raport me shtet e tjera të cilët po ashtu kanë pasur vështirësi të tilla”, tha Kurti para disa ditësh.

    Për shkak të kësaj mungese të paprecedentë të materialit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i kishte kërkuar autoriteteve gjermane që të lejojnë hyrjen e shtetasve kosovarë edhe me pasaporta me afat të skaduar.

    Krejt kjo për shkak të një pamundësie të pazakontë të furnizimit me pasaporta të reja.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Ministrinë e Brendshme të shtetit fqinj të Maqedonisë së Veriut, për t’i pyetur se a kanë pasur vështirësi të kësaj natyre, që siç u shpreh Kurti, kanë edhe vendet tjera.

    “Gjer më tash, Maqedonia e Veriut nuk ka pasur ndonjë problem serioz në lidhje me këtë”, tha Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut për Gazetën Insajderi.

    “Ministria e Brendshme [e Maqedonisë së Veriut] ka lidhur marrëveshje me një operator ekonomik nga Republika Federale e Gjermanisë për prokurimin e sistemit për lëshimin e dokumenteve personale për qytetarët dhe i njëjti operator prokuron formularët bosh për dokumentet personale: pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferi dhe dokumente për të huajt”.

    “Deri më tani, shteti nuk ka pasur ndonjë problem serioz sa i përket mungesës së formularëve. Dokumentet personale si formularë bosh merren nga operatori ekonomik”, thanë ata për Insajderin.

    As Mali i Zi nuk ka telashe të kësaj natyre, shpjegoi për Gazetën Insajderi, redaktorja për politikë në gazetën më të madhe malaziase “Vijesti”, Biljana Matijaseviç.

    “Jo, kurrë s’kemi pasur problem të këtillë”, tha Matijaseviç, derisa shtoi se “për katër ose pesë ditë lëshohen pasaportat”.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar ende përgjigje.

    Ndonëse thotë se vitin e kaluar kanë probleme me patentë shoferë, ajo thotë se ajo ka qenë e natyrës tjetër dhe se është zgjidhur shpejtë.

    Republika Federale e Gjermanisë ka konfirmuar se më 6 janar ka pranuar një kërkesë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për lejimin e udhëtimit të shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara.

    “Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës”. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, tha për Gazetën Insajderi, zëdhënësja e Ministrisë të Brendshme dhe Komuniteteve, Sascha Lawrenz.

    Ministria e Sveçlës thotë se nga fundi i janarit ky problem do të zgjidhet.

    Nga fundi i janarit pritet të fillojë furnizim me material për prodhimin e pasaportave, lejeve të vozitjes e letërnjoftimeve. Kështu ka konfirmuar sot Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Insajderi.

    “Ministria e Punëve të Brendshme, ju njofton se në fund të janarit pritet të filloj furnizimin me material. Me ketë rast Ministria e Punëve të Brendshme shprehë keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në përgjigje.

    /Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark