Në diskutimin se kush është lojtari më i mirë në historinë e futbollit, më së shumti argjentinasit fokusohen mes dy kandidatëve, Maradona dhe Messi. Sidoqoftë, ‘Flaco’ Cesar Luis Menotti i befasoi bashkëkombasit e tij.
“Pelé është më i miri nga të gjithë, ishte i mbinatyrshëm, – nënvizoi trajneri kampion bote me Argjentinën në vitin 1978. – Çdo ndeshje për Pelé ishte si finale botërore. Për mua ishte kënaqësi ta shihja atë në fushë.
Ai bëri gjëra që askush nuk i kuptonte. Atij i pëlqente të ishte portier dhe të mos përdorte duart… Personalisht nuk mund të bëj asnjë krahasim, sepse është larg të gjithëve, absolutisht larg.
Një ditë e pashë me thonjtë që i kishin hyrë në këmbë dhe një gisht të thyer, por ai luajti 90 minuta kundër Palmeiras. Diçka e pamundur. Pastaj mendoj se secili duhet krahasuar me kohën (brezin) e tij.
Kam vlerësim maksimal për Krujf, Di Stefano, Maradona dhe Messi, por Pelé i kalon të gjithë nga këndvështrimi im”.