×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    ‘Marrëdhëniet e Kurtit me ndërkombëtarët, projektet që iu ndaluan Komunës së Drenasit’, Lladrovci tregon detaje në intervistë për Gazetën Insajderi

    Insajderi
    19 November 2022 - 19:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në një intervistë për Gazetën Insajderi ka folur për Qeverisjen Kurti dhe dhe qasjen më këtë komunë. Lladrovci tha se shumë projekte kanë mbetur në proces dhe se pushteti në vend se të sillte projekte të reja po i ndalon edhe ato të cilat janë.

    I pari i Drenasit tha se kjo komunë ka nevojë për finalizimin e shumë projekteve që kanë qenë në proces si dhe projekte të reja që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

    Votat që mori partia në pushtet në komunën tonë, për ata votues dhe qytetarët tjerë dukej shpresëdhënëse se projektet e filluara do të finalizoheshin më shpejtë dhe do të ketë projekte të reja. Për fat të keq, jo që nuk ka projekte të reja por edhe ato që janë në proces janë ndalur“, tha Lladrovci.

    Ai në vitin 2014 ishte edhe ambasador i Kosovës në Tiranë. Kryetari i Drenasit u shpreh i shqetësuar për marrëdhëniet e Kurtit më ndërkombëtarët dhe më Shqipërinë.

    “Urat dhe aleancat e ndërtuara me tri, katër e më shumë dekada, nuk duhet prishur për dy orë. Fjala e urtë thotë, nëse e ndërton një bunar të ri, të vjetrin mos e prish. Kjo qeveri ka marrë mandat të fuqishëm, kjo s’do koment. Por, kam pritur më shumë punë, më shumë investime, më shumë perspektivë, më shumë afrim me Shqipërinë dhe aleatët tanë historikë, etj. Për fat të keq, nuk po ndodh. Miqësitë janë më të forta kur bëhen  në kohë të vështira, ne kemi shumë miqësi të kohëve kur rrezikohej edhe qenia jonë fizike, kemi miq në fazën e çlirimit, pavarësisë, njohjeve, shtet ndërtimin e deri te pranimi në organizatat ndërkombëtare. Na duhet kujdes i shtuar me miqtë“, tha kryetari i Drenasit.

    Duke folur për situatën në veri Lladrovci tha se nuk pret përshkallëzim të situatës. Ajo çfarë po e frikëson atë është heshtja e mikut dhe jo kërcënimet e armikut.

    “Nuk pres përshkallëzim të situatës në veri. Jo që Serbia nuk do ta bënte, por, ajo i ka mendtë në krye dhe bën politikë, ajo e njeh fuqinë e NATO-s, besa edhe guximin e popullit tonë dhe përkushtimin për liri. Më shumë më frikëson heshtja e mikut në këtë rast se kërcënimet e armikut”, pohoi ai.

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi: Si është situata e PDK-së në Drenas, a ekziston edhe ndonjë krah pos PDK-së degës qe ju e udhëhiqni?

    Lladrovci: PDK është unike, e pandashme. Ose je në PDK, ose nuk je. Normalisht, të kaluarën e PDK-së, do të dëshironin ta kishin shumë parti e individ, por, vetë emri PDK, nuk lë dilema që të provojnë ta përvetësojnë keqbërësit. Pra, nuk ka ndarje, nuk ka dyzime. Brenda PDK-së, ka demokraci të brendshme dhe nuk është i ndaluar mendimi ndryshe, por, identiteti PDK na bën bashkë. Kjo trashëgimi politike, as nuk ndahet e as nuk mund të heshtet nga asnjë individ apo forcë politike.

    Gazeta Insajderi: Ju keni qenë kryetar i Drenasit kur në qeverisje qendrore kanë qenë edhe kryeministra të tjerë, çka e dallon Qeverinë Kurti në krahasim me qeveritë e tjera karshi komunës tuaj?

    Me çdo qeveri kam pasur dhe kam raporte të mira, të gjithë i kemi përgjegjësitë e ndara. Duhet ta them një shqetësim. Ky shqetësim është i pari që ia kam dërguar Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe instancave tjera. E para është vazhdim i projektit “Zgjerimi i rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj”, rrugë që lidhë komunat Drenas, Skenderaj si dhe për komunat Mitrovicë, Istog dhe Shtime me “Rrugën e Kombit”. Ky projekt është buxhetuar në vitin 2019, nga niveli qendror me shumën 18.411.726 euro dhe nga THAKP me shumën 2.406.849 euro, për të vazhduar për vitin 2020, ishte paraparë po ashtu 4.000.000 (katër milionë) euro.

    Me rishikim të buxhetit për vitin 2021, kjo shumë është zvogëluar në 500.000 euro, por nuk janë zbatuar. Për vitin 2022, janë paraparë 650.000 euro, por nuk janë zbatuar. E gjithë traseja, Gllobar-Drenas-Komoran, është e shpronësuar në tërë gjatësinë e saj dhe me gjerësi 26 deri 28 metra, është e vendosur në sistem dhe nuk ka asnjë pengesë pronësore-juridike. Nga Gllobari, ku duhet të fillojë zgjerimi i rrugës, deri në Komoran, ka afërsisht 9.200 metra. Sipas Listës së Investimeve nga niveli qendror për këtë rrugë, për vitin 2023, janë paraparë 1 milion euro, për vitin 2024, janë paraparë 1.5 milion euro, ndërsa për vitin 2025, janë paraparë 2 milion euro.

    Sipas këtij buxheti, nga Gllobari, për të arritur deri në Drenas, me distancë katër kilometra, do të punohet së paku tri vjet, ndërsa rruga nga Drenasi, deri në Komoran, me këtë intensitet, nuk do të përfundojë as për 9 vitet e ardhshme dhe bllokim total i qarkullimit në këtë rrugë. Qytetarët e komunës së Drenasit, të Skenderajt dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacionin e kësaj rruge, do të hasin në kolona edhe së paku 9 vitet e ardhshme. Gjatë tërë vitit, veçanërisht për disa ditë dhe muaj, kjo rrugë bëhet me qarkullimin më të dendur në Kosovë. Me rastin e Epopesë së UÇK-së, nga 5 deri më 8 mars, tre muajt e verës me diasporë si dhe Festat e Nëntorit, kur pjesa më e madhe e Kosovës e përdorin këtë aks rrugor për të shkuar në Prekaz në përkujtim të ditëve të lavdisë në dhjetëra vende përkujtimore. Në këtë aks rrugor, janë shtatë shkolla. Qytetarët e kësaj ane, gjatë 24 orëve, 7 ditë në javë, përballen me kolona të përditshme të papërballueshme për qytetarët.

    Gazeta Insajderi: A mund të na tregoni a ka pasur bllokim të ndonjë projekti më rëndësi për Drenasin si pasojë e vendimeve të Qeverisë Kurti dhe cilat janë ato projekte?

    Ramiz LLadrovci: Përpos zgjerimit të rrugës që theksova më herët, ne kemi edhe projekte që kanë mbetur në proces dhe që janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Drenasit dhe disa prioritete tjera. Projekti “Liqeni i Vërbocit”, i aprovuar në Kuvendin e komunës së Drenasit, është në proces shpronësimi dhe është buxhetuar nga Kuvendi i Kosovës. Në buxhetin e vitit 2020, ka qenë i ndarë me vlerë 1.812.500 euro, dhe për vitin 2021, është ndarë buxheti me vlerë 62.500 euro, për vitet 2023, 2024 dhe 2025, është heq nga planifikimi buxhetor, ka projekt zbatues. Pastaj rruga Gradicë-Zhilivodē, rrugë që lidh tri komuna, Drenasin, Vushtrrinë dhe Obiliqin, është Projekti “Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza”, ka projekt zbatues, për vitet 2023, 2024 dhe 2025, nuk është planifikuar fare buxhet. Më tej, është Projekti “Pishina Gjysmë Olimpike”, në Komoran, ka projekt zbatues, të planifikuara i buxhetuar nga Kuvendi i Kosovës dhe për vitin 2020, buxheti kanë qenë 50.000 euro, ndërsa për vitin 2021, janë planifikuar 200.000 euro dhe për vitin 2022 janë planifikuar 300.000 euro. Nuk është zhvilluar projekti. Ndërsa për vitet 2023, 2024 dhe 2025, nuk është planifikuar fare buxhet për finalizimin e projektit. Projekti “Ndërtimi i Rrugës “Bregut të Qyqavicës”, ka projekt zbatues, me gjatësi 7.2 kilometra, me vlerë 2.5000.000 euro, nuk ka fare buxhet të planifikuar për vitet 2023, 2024 dhe 2025; Projekti “Asfaltimi i rrugës Llapushnik-Berishë”, ka projekt zbatues, rrugë që lidh dy komuna, Drenasin dhe Malishevën, për tri vitet buxhetore, 2023, 2024 dhe 2025, nuk është paraparë fare buxhet; Projekti “Ndërtimi i urës në rrugën transit Kroi i Mbretit – Drenas – Skenderaj”; Rregullimi i shtratit të lumit Drenica-Verbica, segmenti i dytë i pa përfunduar, ka projekt zbatues, kishte të planifikuara për vitet 2019, shumën 2.344.730 euro, për vitin 2020, vlera 100.000 euro dhe për vitin 2021, vlera 100.000 euro, të pa zhvilluara, segmenti i parë dhe i tretë të përfunduara; Projekti “Stadiumi i Qytetit Rexhep Rexhepi Drenas”, për vitet 2023, 2024 dhe 2025 për finalizimin e tij, nevojiten rreth 4.6 milion euro; Mungesa e plotë e zhvillimit të aktiviteteve për rregullimin e infrastrukturës për projektin Parku i Biznesit “Drenasi II”, projekt i MINT, Mungesa e plotë e zhvillimit të aktiviteteve për projektin “Stadiumi nacional”, etj.

    Gazeta Insajderi: A keni vërejtur qasje ndryshe ndaj Drenasit nga Qeveria si komunë që udhëhiqet nga PDK?

    Ramiz Lladrovci: Unë nuk kam dashur të komentoj qasjen e qeverisë në këto tri vite, por, mund të them se Drenasi ka nevojë për finalizimin e shumë projekteve që kanë qenë në proces si dhe projekte të reja që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. Votat që mori partia në pushtet në komunën tonë, për ata votues dhe qytetarët tjerë dukej shpresëdhënëse se projektet e filluara do të finalizoheshin më shpejtë dhe do të ketë projekte të reja. Për fat të keq, jo që nuk ka projekte të reja por edhe ato që janë në proces janë ndalur. Kemi edhe çështje dhe nevojë urgjente të kemi zgjidhje për tokat e komasacionit, të kemi zgjerim të biznesit përgjatë brezit të autostradës dhe rrugëve rajonale e lokale, etj. Fundi i fundit, të kemi përkujdesje objektive që ndalë migrimin dhe ikjen e rinisë nga komuna jonë.

    Gazeta Insajderi: Sa i përket vetë PDK-së, a mund te na flisni për drejtuesit në Qendër? A keni pakënaqësi më ta dhe cilat janë ato?

    Ramiz Lladrovci: Jo, nuk kam pakënaqësi, megjithëse për disa procese, do të isha më i ashpër. Ju e njihni natyrën time, të bardhës i them e bardhë e të zezës e zezë. Kemi dëshmuar se 50% e grave në qeverisje prodhon cilësi në shërbime për qytetarët dhe i kam dhënë përkrahje të plotë barazisë gjinore në drejtimin e partisë në nivel qendror, atë lokal dhe në pushtetin ekzekutiv. Kemi dëshmuar si parti në këto 23 vite se ne i çojmë përpara proceset. E fundit është për t’u vlerësuar platforma 50/50 për barazi gjinore. Tash kemi edhe zgjedhje në Rininë Demokratike, presim angazhimin e të rinjve dhe të rejave, energjive të reja në procese me rëndësi për PDK-në dhe për Kosovën. Nuk guxojmë të ndalemi, sepse, ndalet Kosova.

    Gazeta Insajderi: Si e vlerësoni punën e ekipit të Memli Krasniqit dhe a e shihni vetën si pjesë e ekipit të tij në kuptimin a konsultohet ai edhe me ju për punët e partisë?

    Ramiz LLadrovci: E përkrah z. Krasniqi dhe kryesinë më shumë me punë. Normalisht se kam komunikim me Kryetarin dhe diskutojmë për çështje të ndryshme, ato partiake por edhe për zhvillimet politike në nivel nacional. Përvoja ime, në vitet e fundit, tashmë mund të jetë e dobishme për qeverisjen lokale, sepse, kemi dëshmuar se si bëhet qeverisja e shkëlqyer, si arrihet në vendet e para në performancë, qeverisja e mirë e demokratike. Kemi dëshmuar se qytetarët e duan punën dhe punëtorët. Për këto dhe temat tjera, me interes për partinë dhe Kosovën e ofroj mbështetjen time dhe qëndroj i koordinuar me Kryetarin, Kryesinë por edhe nivelin tjetër të partisë.

    Gazeta Insajderi: A mendoni se vendi do të shkoj në zgjedhje të reja, nësë do ndodhte një gjë e tillë në cilin vend mendoni se do radhitej PDK-ja?

    Ramiz Lladrovci: Nuk pres të kemi zgjedhje të parakohshme. Qeveria ka mjaftë numra për të qenë komode për mandat të plotë, por, opozita duhet të ketë alternativa tjera qeverisëse, madje edhe të veprojë me energji të shtuara nëse rrezikohet interesi i Kosovës.

    Gazeta Insajderi: Ndërsa sa i përket Qeverisjës Kurti si e vlërsoni ju, dhe si i shihni raportet e tij më aleatët ndërkombëtar?

    Ramiz LLadrovci: Urat dhe aleancat e ndërtuara me tri, katër e më shumë dekada, nuk duhet prishur për dy orë. Fjala e urtë thotë, nëse e ndërton një bunar të ri, të vjetrin mos e prish. Kjo qeveri ka marrë mandat të fuqishëm, kjo s’do koment. Por, kam pritur më shumë punë, më shumë investime, më shumë perspektivë, më shumë afrim me Shqipërinë dhe aleatët tanë historikë, etj. Për fat të keq, nuk po ndodh. Miqësitë janë më të forta kur bëhen  në kohë të vështira, ne kemi shumë miqësi të kohëve kur rrezikohej edhe qenia jonë fizike, kemi miq në fazën e çlirimit, pavarësisë, njohjeve, shtetndërtimin e deri te pranimi në organizatat ndërkombëtare. Na duhet kujdes i shtuar me miqtë.

    Gazeta Insajderi: A mendoni se mund të ketë një përshkallëzim të situatës në veri?

    Lladrovci: Nuk pres përshkallëzim të situatës në veri. Jo që Serbia nuk do ta bënte, por, ajo i ka mendtë në krye dhe bën politikë, ajo e njeh fuqinë e NATO-s, besa edhe guximin e popullit tonë dhe përkushtimin për liri. Më shumë më frikëson heshtja e mikut në këtë rast se kërcënimet e armikut.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark