Transferimi i mbi 1 milion 470 mijë euro në llogarinë e Martin Berishajt nga një kompani me zyrë në Beograd, firma GEN, ka shokuar opinionin kosovar.
Pushtetarët me muaj të tërë janë munduar që ambasadorit Berishaj t’ia heqin Beogradin nga gama e mëkateve të tij milionëshe.
Këtë e kanë bërë duke pretenduar se “GEN Beograd” është vetëm një degë e “GEN Slovenia” dhe si rrjedhojë Berishaj nuk është i përfshirë direkt në pazare me Beogradin.
“I përlyer vetëm me sllovenët”, është narracioni që pushtetarët janë përpjekur që ta shtyjnë përpara.
Mirëpo, kjo strategji e qeveritarët duket se është e destinuar që të dështojë. Martin Berishaj ka edhe përzierje tjera me Beogradin.
Lidhjet e tij përfshijnë edhe një biznesmen kosovar kontrovers që është i përfshirë në raporte biznesore me politikan të njohur serb. Bëhet fjalë për Tapi Sadikajn, i cili në takimet me ta ka përmendur edhe njohje të tij me biznesmenë rusë.
Berishaj nuk ka vetëm afërsi shoqërore me të. Por, njëjtë sikurse nga “GEN” ambasadori Berishaj ka pranuar para në llogarinë e tij nga ky biznesmen kontravers.
Lexo edhe:
Detajet e transaksioneve Sadikaj-Berishaj
Taip Sadikaj, biznesmeni i njohur kosovar që drejton Savinja Skupina, më 5 shkurt të vitit 2016 i kishte transferuar 36 mijë euro në llogarinë MB Consulting, pronë e tash ambasadorit Martin Berishaj, zbulon Gazeta Insajderi.
Paratë ishin transferuar nga xhirollogaria e kompanisë Savinja Skupina, dega në Kosovë, e cila sipas të dhënave publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, ishte regjistruar vetëm një muaj para se 36 mijë euro të transferoheshin drejt MB Consulting.
Në dokumentet bankare që që posedon Gazeta Insajderi nuk ka përshkrim të detajuar se për çfarë Sadikaj i ka transferuar këto para te Berishaj.
Gazeta Insajderi i ka shkruar sipërmarrësit nga Dragashi, Sadikajt, për ta pyetur mbi arsyjet e transferimit të 36 mijë eurove tek biznesi i Berishajt, por i njëjti nuk ka kthyer deri tash përgjigje.
Përgjigje nuk ka kthyer as kur është pyetur mbi lidhjet e tij me tash ambasadorin kosovar në Zagreb.
Lexo edhe:
Lidhjet e Taip Sadikajt me biznesmenë dhe politikanë serbë
Më 2018, portali serb “Alo”, kishte botuar një shkrim ku zbardhte lidhjet e Taip Sadikajt me biznesmenët serbë.
Në artikullin e publikuar më 21 maj, flitej për një takim që Sadikaj kishte zhvilluar me ish-guvernatorin e NBS, Mllagjan Dinkiq dhe kryetarin nderi të SPS, Milutin Mrkonjiq.
Sadikaj ishte takuar me dy sipërmarrësit serbë Dinkiq dhe Mrkonjiq për t’u kontraktuar rreth ndërtimit të qendrave tregtare në Kosovë nga investitorë rusë, sipas shkrimit të “Alo”.
Gjatë bisedave, siç raportonte gazeta serbe, ata përmenden gjithashtu disa biznesmenë rusë.
Gjithmonë sipas gazetës serbe, Dinkiq, i cili ka pasur edhe rolin e anëtarit të bordit të drejtorëve në bankën ruse “Sber Bank”, kishte shprehur interesimin për bashkëpunim me biznesmenin Sadikaj, por ai kishte shprehur frikën nga reagimi që do të hasin në familjet e fuqishme shqiptare që mbajnë qendra tregtare në Kosovë.
Sadikaj e kishte ftuar Dinkiqin në Kosovë për të parë vetë dhe për t’u takuar me biznesmenët shqiptarë, siç thoshte gazeta serbe.
Përveç ndërtimit të qendrave tregtare në Kosovë, pjesë e diskutimit ishin edhe projektet e ndërtimit të banesave në Slloveni, atje ku Sadikaj po ashtu operon me bizneset e tij.
Në këtë pikë biznesmeni Sadikaj kishte përmendur edhe lidhjet e ngushta politike dhe jo vetëm që Kosova ka me Slloveninë.
Madje kishte theksuar se ai ka marrë ndihmë nga shërbimet sekrete sllovene.