×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Martin Berishaj pas publikimit të aferës financiare nis pushimet në shtetin ku barti 600 mijë euro

    Insajderi
    04 June 2022 - 14:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj nuk i ka dhënë llogari qytetarëve lidhur me akuzat se është i përfshirë në një skandal të shpëlarjes së parave përmes kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi.

    Tani që janë bërë më shumë se një muaj që nga publikimi i aferës financiare, ku janë të përfshirë edhe kompania serbe, GEN-i, dhe kryeministri i zgjedhur i Sllovenisë, Robert Golob, Berishaj ka vendosur që të pushojë.

    Ambasadori kosovar ka zgjedhur pikërisht Slloveninë që të kalojë pushimet me familjen e tij.

    Kështu ka bërë të ditur vet ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, krahas të cilit ka shkruar “Ditë pushimi me familje”.

    Demokracia.com ditë më parë ka raportuar se Komisioni Hetimor Parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten Planin e Veprimit të Komisionit.

    Si komision, kanë përgatitur edhe listën për zyrtarët që do të intervistohen lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

    Demokracia.com ka siguruar dokumentin në të cilin figuron edhe emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një aferë të madhe të shpëlarjes së parave.

    Javë më parë televizioni slloven, Planet TV, raportoi se rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

    Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i serb janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

    Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

    Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

    Lidhur me rastin kishte reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili kishte paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.

    Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani në një përgjigje fillimisht e kishte cilësuar si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë ajo e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.

    Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik të mirë ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta.

    Afera Golob dhe Berishaj, që nxiti më së shumti debate në Slloveni, ishte top-skandal financiar rajonal.

    Prej ditës që doli lajmi se Berishaj është i përfshirë në një aferë me kompaninë GEN-I, dega në Serbi, nga e cila pranoi qindra mijëra euro, ai u mbrojt nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Donika Gërvalla.

    Vetëm një herë ai u pa në Kosovë, konkretisht në MPJD, por askush nuk e foli asnjë fjalë se çka i raportoi Berishaj shefes së tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    18 May 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark