Berat Ganiqi, dy herë shef – edhe në Kabinet në Ministrinë e Hysen Durmishit, dikur e drejtuar nga ish-ministri Liburn Aliu në Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti edhe udhëheqës i asambleistëve të Vetëvendosjes në Pejë po ndiqej me dy akuza nga Prokuroria atje: një për falsifikim dhe një për mashtrim. Insajderi sjell detaje ekskluzive mbi akuzat që rënduan mbi figurën e fuqishme të VV-së, rastet, prej të cilave njëri, sipas tij, ka përfunduar në favor të tij, dhe tjetri vazhdon në proces gjyqësor
Visar Duriqi
Një njeri me peshë të rëndësishme politike dhe ekzekutive në Lëvizjen Vetëvendosje, Berat Ganiqi, ndodhej nën b dy akuzave të depozituara nga Prokuroria Themelore në Pejë. Ganiqi, i cili mban postin e Shefit të Kabinetit te Ministri Kujdestar i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe që të njëjtin post mbajti edhe sa aty ishte shef Liburn Aliu, është shef edhe diku tjetër. Ganiqi është Shef edhe i grupit të asambleistëve të VV-së në Pejë.
Që nga viti 2021 mbi të rëndojnë dy akua, dhe janë deponuar dy dosje të ndara: për “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mashtrim”.
Prokuroria pretendon se këto veprime janë kryer gjatë ushtrimit të profesionit të tij si jurist, duke i shkaktuar dëm juridik dhe financiar dy qytetarëve.
Aktakuza e parë, e ngritur në korrik të vitit 2021, e ngarkon Ganiqin, në bashkëkryerje me avokatin Jakup Çeku dhe të pandehurin Valon Mulaj, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 399 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja kyçe ka ndodhur me datë 12.07.2018 në zyrën e avokatit Jakup Çeku në Pejë.
Të pandehurit Berat Ganiqi dhe Jakup Çeku akuzohen se: “Me datën 12.07.2018, në zyrën e avokatit Jakup Ceku në Pejë, në bashkëkryerje e me dashje, pa autorizim plotësojnë deklaratë (autorizim për përfaqësim) ne emër të personit tjetër përmes së cilës krijojnë marrëdhënie juridike në dëm të të dëmtuarës M.B….”
Aktakuza detajon se ata: “përpilojnë autorizimin për përfaqësimin e të dëmtuarës M.B në procedurën statusore (familjare) për zgjidhje të martesës me ç’rast për këtë përfaqësim autorizohet i pandehuri Berat, i cili më pas këtë autorizim e noterizon në zyrën e Noterit Feraseta Pejcinovic dhe pas kësaj e fillojnë procedurën e shkurorëzimit të të dëmtuarës… ku Gjykata me datën 30.8.2018 nxjerr Aktgjykimin C.nr.719/18 me të cilin zgjidh martesën me marrëveshje…”
Më tej, Prokuroria thekson se: “Në kohën e kryerjes së veprës penale nga të pandehurit, e dëmtuara M.B nuk ka qenë në territorin e Republikës së Kosovës… si dhe e njëjta nuk ka autorizuar asnjë të afërm apo person tjetër që në emër të saj të ndërmarrë ndonjë veprim në drejtim të propozimit për shkurorëzim…” Kjo vërtetohet me dëshminë e të dëmtuarës, e cila ka deklaruar se ka pranuar letrën e shkurorëzimit derisa ishte në Zvicër.
Për këtë arsye, Prokuroria pati propozuar që pas shpalljes fajtor, Ganiqit dhe Çekut t’u shqiptohet dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”.
Aktakuza e dytë, e ngritur në shtator të vitit 2021, e akuzon Berat Ganiqin si i pandehur i vetëm për veprën penale të “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 i KPRK-së.
Prokuroria pretendon se Ganiqi, “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete”, ka lajthitur të dëmtuarin N.P. me anë të paraqitjes së rreme dhe fshehjes së fakteve.
Aktakuza detajon veprimet dhe shumat e parave të marra.
“I pandehuri B. me të dëmtuarin është dakorduar që ta paraqesë një padi për këtu të dëmtuarin në cilësi të paditësit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe dt. 02.10.2020 ja kërkon 400.00€ të cilat i dëmtuari ja dërgon, po ashtu me dt. 12.10.2020 ja dërgon 330.00€, me dt. 19.11.2020 ja dërgon 300.00€, në shumë të përgjithshme prej 1030.00€.”
Falsifikimi, sipas Prokurorisë, qëndron në atë që Ganiqi, pasi mori paratë, i dërgoi të dëmtuarit një dokument: “ku shihej faqja e parë [e padisë] por nuk dallohej se kujt i është drejtuar…”
Ky dokument rezultoi i rremë pasi: “I dëmtuari kontakton personat përgjegjës të GJTH Prishtinë ku edhe e njoftojnë se nuk është paraqitë një padi e tillë.” Kjo konfirmohet edhe me dëshmi zyrtare ku Gjykata Themelore në Prishtinë konstaton se sipas sistemit SMIL, padia e regjistruar në emër të Rexhepit është e datës 26.03.2021, jo siç pretendohej në dokumentin e dërguar nga Ganiqi (me datë 01.12.2020).
Për rastin e kthimit të parave, Prokuroria e interpreton këtë veprim negativisht: “ky veprim i te pandehurit është ndërmarrë pasi rasti është bëre mediatik”.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Gjykatën Themelore në Pejë për statusin e këtyre dy rasteve dhe se sa seanca i ka organizuar deri tash, nga viti 2021 për këto dy aktakuza, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Pasi që Ganiqi është njoftuar me posedimin e aktakuzave nga ana e Gazetës Insajderi, gazeta e ka pyetur edhe atë për një koment.
Berat Ganiqi i është përgjigjur Insajderit, duke mohuar çdo fajësi dhe duke ofruar versionin e tij të ngjarjeve, duke pretenduar se për rastin e parë ka një vendim lirues.
Ganiqi pretendon se përgjegjësia i takon Noteres, pasi dokumenti ishte vërtetuar me vulë dhe numër protokolli zyrtar, duke nënkuptuar se pala ishte prezente me dokument identifikimi.
“Autorizimi ka qenë i vërtetuar tek Noteri dhe nuk kemi bëjmë me asnjë falsifikim nga ana e avokaturës… Për vërtetimin e këtij autorzimi para noterit duhet jenë prezentë pala personalisht me dokumentin e identifikimit, andaj përderisa një dokumentë ka vulën dhe nr e protokolit dhe ai dokumentë vërtetohet që është lëshuar identik nga noteria atëherë cili është faji jonë këtu?!”, thotë Ganiqi për Insajderin.
Më e rëndësishmja, ai thekson se ky rast tashmë ka përfunduar, diçka që Gjykata në Pejë, edhe pse është pyetur nga Insajderi, deri tash nuk është përgjigjur.
“Rasti i parë ka përfunduar dhe se as unë dhe as avokati nuk kemi pasur ndonjë vendim dënues, pra jemi liruar nga aktakuza… Për rastin e parë janë mbajtur 4 seanca dhe ka përfunduar”, i ka thënë Ganiqi Insajderit.
Ai shton se e dëmtuara M.B e ka përdorur më vonë dokumentin e shkurorëzimit për të lidhur një martesë të re, një fakt që, sipas Ganiqit, e bën të pavërtetë pretendimin e saj se nuk kishte autorizuar askënd.
Për rastin e aktakuzës për mashtrim, ku viktimë sipas Prokurorisë në Pejë është N. R. Ganiqi në një prononcim për Insajderin e kundërshton pretendimin se padia nuk është deponuar.
Ai madje përmes e-mailit zyrtar si Shef Kabineti te Ministri Kujdestar, Hysen Durmishi, ka bashkangjitur si si dëshmi fletëdërgesat postare të datës 24 dhe 26 mars 2021, të cilat, sipas tij, tregojnë dërgimin e padive në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Dega Kamenicë.
“Rasti i N.P., paditë dhe kërkesat i janë dorëzuar dhe të bashkangjitur i keni edhe shkresat postare e që mund ti kërkoni edhe në postë dhe gjykatë”, thuhet në përgjigjen e Ganiqit për Insajderin.
Ai gjithashtu pranon kthimin e parave, por e argumenton si veprim të vullnetit të mirë, pavarësisht se thotë se shërbimi ligjor ishte kryer.
“Po ashtu z.R… edhe pse shërbimi i është kryer të hollat ju kanë kthyer dhe të bashkangjitur e keni edhe fletëtransferin e të hollave… shihet që në bazë të provave shërbimi i është kryer N.P. dhe mbi të gjitha pagesa i është kthyer, andaj edhe në gjykatë do të vërtetohet pafajësia ime”, i ka thënë Insajderit Ganiqi.
Ganiqi shprehet se për rastin e dytë janë mbajtur dy seanca “e për të cilën jam tepër i interesuar ta kryej sa më shpejtë sepse do të vërtetohet që paditë ekzistojnë dhe se të hollat i janë kthyer”, thotë ai.