×
  • Lajme
  • Lajme

    Mashtrimi i punëtorëve me paga të majme- Gjykata ia cakton 30 ditë paraburgim Driton Ajetit

    Insajderi
    05 April 2024 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pronari i “Albshkolla”, Driton Ajeti është arrestuar nën dyshimet për mashtrim. Ndaj tij Gjykata Themelore në Gjilan ka caktur 30 ditë paraburgim. Në shkresën për paraburgimin e Ajetit të siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se ekziston rreziku që i dyshuari të arratiset. Kjo pasi i njëjti ka edhe nënshtetësi serbe përpos asaj kosovare.

    Në rastin konkret, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale “Mashtrimi” për të cilën dyshohet, gjë që mund të vërtetohet edhe nga provat materiale.

    Përpos kësaj, gjykata ka gjetur arsye për të besuar se nëse i Ajeti mbrohet në liri, ai mund të ndikojë tek të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarëve (emra të njohur për redaksinë).

    Madje, gjykata thekson se duke marrë parasysh natyrën dhe peshën e veprës penale për të cilën dyshohet i pandehuri, parashihet dënim mjaft i lartë.

    “Mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, që nga data 24 dhjetor 2023 e deri më tani, i pandehuri në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që vetes t’i sjell përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka mashtruar tani të dëmtuarit R.A në shumën prej 1000 euro, A. Në shumën prej 2000 eurove, B. në shumën prej 2000 eurove, duke i vë në lajthitje të njëjtit në dëm të pasurisë së tyre”.

    “Pastaj duke marrë për mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale ku kemi shumë të dëmtuar, të gjitha këto tregojnë rrezikun se nëse i njëjti mbrohet në liri, me arsye dyshohet se mund të kryejë edhe vepra tjera penale”, thuhet në aktvendim.

    Gazeta Insajderi raportoi javë më parë për rastin në fjalë, ku qindra punëtorë po e akuzonin Ajetin për mashtrim. Ajeti në reagimin e tij i kishte quajtur të pavërteta raportimet dhe pretendimet e punëtorëve. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark