×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Mbeturinat, mungesa e ujit, qiraja e lartë – Auditori i jep kritika Ministrisë së Hajdarit për menaxhimin me zonat ekonomike

    Insajderi
    15 May 2023 - 15:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyra Kombëtare e Auditorit në raportin e auditimit të përformancës për mbështetjet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka dhënë një varg vrejtjesh karshi menaxhimit të zonave ekonomike dhe mos-bashkëpunimit të ministrisë me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

    Njërin nga shqetësimet që ka ngritur Auditori është mungesa e furnizimit me ujë dhe hapja e bunareve për nevoja të bizneseve tek Parku i Biznesit në Drenas.

    Shqetësim tjetër i bizneseve sipas auditorit, është edhe qiraja e lartë, raporton Gazeta Insajderi.

    “Gjatë vizitës tonë në këtë Zonë Ekonomike, kemi vërejtur se shumë bizneseve ju mungonin kushtet elementare siç është furnizimi me ujë, ku për pasojë bizneset kishin hapur bunarët me te cilët zhvilloni aktivitetet e tyre”, thuhet në raportin e Auditorit.

    “Grafiku 8 thekson se bizneset në Parkun e Biznesit në Drenas mendojnë se qiraja është shume e lartë. Kësti i qirasë për parcelën e caktuar në Drenas është mbi 15,000 euro në vit në krahasim me Parkun Teknologjik në Shirokë (Suharekë) ku qiraja është më pak se 600 euro në vit dhe perceptohet si e përballueshme nga bizneset”, thuhet ndër të tjera në raport.

    Në raport po ashtu kritikohet edhe mos-menaxhimi për hapësirat e lira në zonat ekonomike. Sipas auditorit, në disa nga zonat ekonomike kishte hapësira të pa-shfrytëzuara dhe të mbuluara me mbeturina.

    Në vitin 2022, ministria e Rozeta Hajdarit nga 1,7 milion euro që ishin të ndara për zonat ekonomike, ka shpenzuar vetëm 8.30 për qind të buxhetit. ZKA-ja ka radhitur arsyet për këtë.

    “Shkaqe për shpenzim të ulët janë: në Viti mos mbajtja përgjegjës e operatorit nga MINT/KIESA për vonesat e punëve, ngritjes së çmimeve në tregun global, dhe në rastin e Vushtrrisë kishte vonesa në procesin e formimit të komisionit për pranim teknik të projektit të ndërtuar”, thuhet më tej në raport.

    Auditori po ashtu ka kërkuar nga Qeveria që t’i shfuqizojë të gjitha zonat e lira ekonomike, duke e arsyetuar këtë se ato janë krijuar pa studim fizibiliteti dhe me mungesë analizash.

    “Qeveria nuk ka arritur t’i funksionalizojë zonat e lira në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren dhe zonën e veçantë Amerikane edhe përkundër që ka marr vendim për themelimin e tyre. Mos funksionalizimi i këtyre zonave ka ndodhur si pasojë që Qeveria nuk i ka paraprirë me analizimin e nevojave dhe me hartimin e planit të fizibilitetit për të vlerësuar dhe argumentuar nëse ja vlen të themelohen këto zona. Ende nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet për vënien në funksion të këtyre zonave”, shton më tej ZKA-ja.

    ZKA-ja ka vënë në pah edhe mos-koordinimin e MINT-it me KIESA-n, gjegjësisht mungesën e takimeve të rregullta mes tyre.

    “MINT dhe KIESA punojnë si dy institucione të ndara dhe nuk ka ndonjë koordinim ndërmjet tyre për thirrjet të cilat zhvillohen. departamenti i industrisë ka zhvilluar disa analiza dhe zhvillon takime me biznese. Këto takime organizohen në drejtoritë komunale me prodhues të regjioneve të vendit ku diskutohet mbi nevojat e bizneseve. pavarësisht kësaj MINT dhe KIESA nuk kanë një koordinim me të cilin do të arrinin që të i përdornin këto analiza në mënyrë që thirrjet të cilat i zhvillojnë në të ardhmen të bazohen në nevojat e bizneseve”. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark