×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Mbi 1 milion euro për familjarët e shokut të Hysen Durmishit”- Katër ditë heshtje e “Qeverisë Antikorrupsion” për tenderin e dyshimtë

    Insajderi
    20 September 2022 - 16:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Djali e familjari i afërt i mikut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi,Bujar Shabani, u shpërblyen me kontrata nga kjo ministri – por e tërë kjo po tentohet të kalohet në heshtje të plotë nga Ministria e Infrastrukturës. Ministri Liburn Aliu dhe zv/ministri Hysen Durmishi as pas një jave nuk janë përgjigjur në pyetjet e Gazetës Insajderi, se pse iu dhanë tenderët e MI-së, dy familjarëve të biznesmenit, Bujar Shabani

    “Ne duhet të ndalim gjakderdhjen financiare që po na ndodh në vendin tonë”, është njëri nga premtimet më të mëdha të kryeministrit Albin Kurti.

    Ndërkohë që transparenca e llogaridhënia – janë dy nga premtimet  tjera që që në vazhdimësi i kanë përsëritur se do të ofrohen për popullin nga Kurti e zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë kohës sa ishin në opozitë, e po synonin ta merrnin pushtetin.

    Por, gjërat duket se kanë ndryshuar tash kur erdhën në pushtet, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në kundërshtim me këto premtime të tyre, janë duke vepruar së fundmi dy vartës të kryeministrit Kurti, ministri Liburn Aliu e zv/ministri Hysen Durmishi.

    Për një çështje shumë të rëndësishme në këtë ministri, ata nuk kanë dhënë sqarime. Nuk po tregojnë se si dy kompani të familjarëve të Bujar Shabanit, shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi, janë shpërblyer me tender nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Kjo ministri menaxhon tenderët me shumat më të mëdha, të taksapaguesve kosovarë.   

    Pikërisht për një procedurë tenderuese të saj, me shumën prej mbi një milioni, Gazeta Insajderi ka raportuar të premten.

    Ka zbuluar se si kompania “Kosova Asfalt”, pronë e Valdrin Shabanit djalit të biznesmenit Bujar Shabani dhe “Dio Bes SHPK”, e familjarit të tij, morën hise të tenderit të madh të Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen verore e dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale.

    Por kjo ministri as pas një jave prej kur gazeta, i ka dërguar pyetje lidhur me dy tenderët të cilët u dhanë për djalin dhe familajrin e Bujar Shabanit, pronarit të kompanisë “Bageri”, që është shok i ngushtë i zevendesministrit Hysen Durmishi, siç e ka pranuar edhe ai vet se njihet me të që nga viti 2001, nuk kanë kthyer përgjigje.

    Mbi 1 milion euro të MI-së për konsorciumet ku bëjnë pjesë kompanitë e familjarëve të biznesmenit Shabani

    Gazeta Insajderi, ka raportuar para katër ditësh se si Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, së fundmi ka shpërblyer me tender kompanitë e dy familjarëve të mikut të ngushtë të zëvendësministrit, Hysen Durmishi.

    Në tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2025, ku ministria shpalli fituesit për 15 pjesë (lote), hise iu dha edhe djalit e familjarit të biznesmenit nga Ferizaj, Bujar Shabanit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kompania “Kosova Asfalt”, që në ARBK figuron se është në pronësi të Valdrin Shabanit, djalit të Bujar Shabanit, ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 3.

    Si pjesë e konsorciumit fitues, nga Ministria e Infrastrukturës do të marrin shumën prej rreth 500 mijë euro, sipas këtij tenderi.

    Derisa kompania e familjarit të dytë të Bujar Shabanit, “Dio Bes SHPK”, që figuron në emrin e Xhelal Shabanit, e ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 1.

    Si pjesë e konsorciumit ku merr pjesë kompania “Dio Bes”, do të marrin shumën prej 617 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por kur u themeluan kompanitë e familjarëve të Bujar Shabanit që fituan këta tenderë në MI?

    Valdrini që është djali i Bujar Shabanit, në ARBK figuron pronar i vetëm i kompanisë “Kosova Asfalt” me 100% të aksioneve. Ky biznes del se është themeluar në prill të vitit 2016, me bazë në Ferizaj. Kapitali i saj sipas ARBK-së është 200 mijë euro dhe ka të regjistruar katër punëtorë, shkruan Insajderi.

    Kompania, “Dio Bes SH.P.K”, sipas formualarit të regjistrimit në Agjencinë Kosovare të Biznesve, është themeluar në nëntor të vitit 2020. Përveç Xhelal Shabanit, si pronarë, figuron se kompania ka dy punëtor të regjistruar dhe një kapital prej 100 mijë eurove.

    Gazeta Insajderi,lidhur me këtë çështje ka kërkuar të dijë nga ministri Liburn Aliu dhe zv/ministri Hysen Durmishi se a ka ndikuar afërsia e këtij të fundit me Bujar Shabanin që të marrin tender familjarët e tij, por deri në publikimin e shkrimit gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje.

    Nga kjo ministri nuk kanë treguar as se çfarë kriteresh plotësuan kompania “Kosova Asfalt” dhe “Dio Bes SH.P.K” për të fituar tenderët.

    Ky tender i ministrisë ka vlerë të madhe, prej afër 30 milionë euro për periudhën tre vjeçare dhe është ndarë në disa llote. /Gazeta Insajderi

    Lexo të plotë shkrimin për:

    Familjarë të shokut të ngushtë të Hysen Durmishit shpërblehen me kontratë nga Ministria e Infrastrukturës

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark