×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Mbi 11 milionë euro janë shpenzuar për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Insajderi
29 July 2022 - 16:36
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Nga fondi shtetëror për të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara për një vit e gjysmë në total janë shpenzuar 11 milionë e 500 mijë euro. Shpenzimet përfshijnë mbrojtjen e të akuzuarve si dhe vizitat familjare në Hagë, për vitin 2021 dhe gjashtë mujorin e parë të këtij viti.

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë gati dy vite që po qëndrojnë në paraburgim të Dhomave të Specializuara, pas konfirmimit të akuzave ndaj tyre.

Me drejtësinë në Hagë po përballen ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniq, ish-deputeti Rexhep Selimi si dhe eprori tjetër i UÇK-së, Salih Mustafa. Derisa krerët e Organizatës së Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj tashmë janë dënuar nga kjo gjykatë, me nga 4 vjet e gjysmë burgim.

Të akuzuarit dhe ndaluarit nga Specialja, kanë zgjedhur që të paguajnë avokatët e tyre përmes ndihmës financiare që ua ofron Qeveria e Kosovës.

Kjo u garantohet sipas ligjit, pasi që menjëherë pasi u votua Ligji për Dhomat e Specializuara, në të njëjtën kohë, u miratuan edhe ligji që ua garantonte atyre mbështetjen financiare.

Ministria e Drejtësisë, që menaxhon fondin e ndarë nga shteti për ta, i ka ofruar Gazetës Insjaderi, të dhënat e shpenzimeve pas kërkesës për qasje në dokumentet publike.

Sipas përgjigjes së Ministrisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu, gjatë vitit 2021 deri në këtë periudhë të vitit 2022, është shpenzuar në total shifra prej 11 milionë e 500 mijë euro.

Prej të cilave 11 milionë e 400 mijë vetëm për avokatët mbrojtës që janë angazhuar nga të akuzuarit.

Kurse 100 mijë euro për akomodimin e vizitave familjare të të akuzuarve dhe ndaluarve nga specialja. Në kuadër të të cilave janë përfshirë biletat, fjetja dhe ushimet.

“Duke u bazuar në Vendimin e Kryeministrit Nr. 056/2021 të datës 21.02.2021, sipas kërkesës tuaj për qasje në dokumente publike, ju lutem gjeni përgjigjën si në vijim: Shpenzimet për avokatë përgjatë vitit 2022 deri në muajin Qershor 2022 janë rreth: 3,902,600.00 €. Shpenzimet për avokatë përgjatë tërë vitit 2021 kanë qenë: 7,541,962.02  €”, thuhet në përgjigje.

“Shpenzimet për familjarë (bileta dhe fjetje e ushqim) përgjatë vitit 2022 deri në muajin Qershor 2022 janë rreth: 53,876.36  €. Shpenzimet për familjarë (bileta dhe fjetje e ushqim) përgjatë tërë vitit 2021 kanë qenë: 46,622.02  €”, thuhet më tej në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Gazetën Insajderi.

Vitin e kaluar ishin publikuar disa të dhëna specifike për shpezimet e secilit veç e veç. Sipas listës së shpenzimeve dilte se nga ky fond Jakup Krasniqit i ishin lejuar 792 mijë euro. Kreut të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, i ishin paguar 729  mijë euro. Për ish-eprorin e UÇK-së, Rexhep Selimi, shteti kishte paguar 724 mijë euro.

Sipas listës së ishte publikuar atëherë për mbrojtjen e ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçi ishte paguar gjithsej me 661 mijë euro.

Nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, i ishte paguar shuma prej 582 mijë euro.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa ka përfituar gjithsej 545,620 euro për mbrojtjen e tij. Kurse për Kadri Veselin shifra prej 379 mijë euro.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark