×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Gjykata anti-UÇK

Insajderi
10 May 2022 - 11:02

Në shtator të vitit 2020-të, Gjykata Speciale e Hagës e nisi me shumë vrull aktivitetin e saj. Spektakël, me shumë policë për të arrestuar dy krerë të veteranëve të UÇK-së që as që kishin tentuar që të iknin. E, as që pritej të rezistonin gjatë arrestimit. Dhe, ky spektakël i nisur në qendër të Prishtinës do të zhvendosje në Holandë.

Visar Duriqi/Donjeta Islami

Deri tash janë ngritur 4 aktakuza. Disa janë në proces gjykimi, e aktakuza me më shumë peshë deri tash, ajo kundër ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryepralmentarit, Kadri Veseli, Ish-Zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi e ish-Shefit të deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi është ende në faza përgatitore.

Çdo kërkesë e tyre për ti liruar nga paraburgimi është refuzuar. Parashikimet janë që edhe shumë vite ata pritet që të qëndrojnë të paraburgosur, pasi që edhe shumë vite do të zgjasë gjykimi kundër tyre- parë nga aktakuza që tashmë veç është ri-plotësuar edhe një herë.

Se çka po ndodh me Gjykatën Speciale dhe se sa shkelje janë bërë deri tash. Si po vazhdon që Prokuroria që deponon akuza në këtë Gjykatë po i ndjek vetëm shqiptarët dhe vetëm njerëzit e UCK-së. Sa është drejtësi e sa politikë. Si u implikua së fundi dhe a do të thirrët dëshmitarë edhe njeriu, raporti i të cilit e nisi krejt këtë Gjykatë, Dick Marty. Janë këto vetëm disa nga pyetjet që morën përgjigje në InDoks të Gazetës Insajderi.

Flasin ata që e kanë mbikëqyrur punën e Speciales që nga fillimi, kosovarë e ndërkombëtarë. Ekspertë të drejtësisë.

Për InDoks flet edhe avokati amerikan i Hashim Thaçit, Pierre Prosper.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka vite që e monitoron rastet e krimeve të luftës që janë gjykuar në Kosovë. E ka monitoruar edhe Gjykatën Speciale. Ai në InDoks ka treguar edhe një herë se çka në fakt po ndodhë në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Të gjithë e dimë se deri tash janë ngritur 4 aktakuza, 3 kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe 1 ka të bëjë me krimin kundër njerëzimit poashtu dhe një rast kundër Gucatit dhe Haradinajt lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë. Rasti i Gucatit dhe Haradinajt ka përfunduar shqyrtimi kryesor tani trupi gjykues është tërhequr dhe ka afat deri në 90 ditë ta merr aktgjykimin me shkrim dhe ta sjell vendimin qoftë lirues apo dënues lidhur me akuzat me të cilat ngarkohen”, tha Alija.

“Rasti i Salih Mustafës është në shqyrtim kryesor, prokuroria i ka kry dëshmitarët e vet i ka dëgju tani janë duke u dëgjuar dëshmitarët e alibisë, mbrojtjes – rasti i Thaçit dhe të tjerëve është në procedurën paraprake janë duke u mbajtur periodikisht këto konferencat statusore apo seancat përgatitore, prokuroria e ka transferu lëndën tek mbrojta, mbrojtja është duke bërë hulumtime përgatitje për shqyrtimin kryesor si dhe rasti i fundit i Pjetër Shalës edhe ai është në procedurën përgatitore, pra bëhet përgatitja për shqyrtimin kryesor”, u shpreh ai.

Është fundi i vitit 2010. Senatori zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marti do të prezantonte raportin e një hetimi të tij në të cilin do të griste dyshime se UÇK-ja, pos tjerash ka kryer edhe trafikim të organeve. Një akuzë të tillë do ta bënte të pashmangshëm edhe një hetim, tjetër që vite më vonë do ta kryente Prokurori amerikan Clint Ëilliamson, por e bëri të pashmangshme edhe vet Gjykatën Speciale që në fakt është një Gjykatë Anti-UÇK.

Akuzat do ti bënte. Gjykata do të ndërtohej. Por, konstatimet e tij për trafikim organesh do të zhdukeshin. As nuk u përfshinë në aktakuzat që janë ngritur deri tash. Bashkë me akuzat e tij thuajse u zhduk edhe vet Mary.

Sikurse ishte paraqitur në mënyrë të befasishme me akuzat kundër UÇK-së, njëjtë javë më parë Marty do të bëhej përsëri lajm botëror. Tash ka ndërruar paksa tregimi. Ai dha një intervistë ku me pak fjalë tha që po e ruajnë njësi elitare policore pasi që Shërbimi Sekret i Serbisë paska planifikuar që ta virste e për këtë ti fajësonte shqiptarët.

Dr. Nevenka Tromp që ka qenë udhëheqëse e ekipit të hulumtuesve në Tribunalin e Hagës për Krime Luftë ne Ish-Jugosllavi dhe aktualisht ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit ka folur për InDoks bash për figurën e njeriut që e provokoi krijimin e Gjykatës Speciale.

Gjithçka që asocion dhe lidhet me këtë histori është thjesht jo transparente dhe pasi të mos kesh transparencë që në fillim, mund të presësh që ka kaq shumë histori të egra që lidhen me të, dhe pse po thosha se nuk ka pasur kurrë transparencë për Dick Martyn për Këshillin e Evropës, ne e dimë se e gjithë historia është kaq e ftohtë dhe është paraqitur në tribunalin e Jugosllavisë në vitin 2003, përndjekja dhe hetuesit nuk kishin leje për të vazhduar hetimin sepse këto pretendime u gjetën më pak, nuk kishte asnjë bazë për to dhe pastaj papritmas vjen, merr detyrën nga ish-kolegja e tij Karla Del Ponte dhe shkon direkt në Këshillin e Evropës i vetmi institucion evropian kur këto histori të egra mund të ishin në axhendë zyrtare sepse ne e dimë se është një prezantues i Federatës Ruse dhe Serbisë. Dhe kjo histori po demonizon liderët e Kosovës dhe popullin e Kosovës të gjithë së bashku sepse historia është e tmerrshme dhe mungesa e transparencës është edhe në raportin e tij”, tha Tromp.

Dr. Nevenka Tromp, deklarimet e Dick Martit se paska dashur që ta vriste një institucion i Serbisë e t’ua linte fajin shqiptarëve i sheh si tendencë për të vazhduar tregimi i shtet serb, për siç e quan ajo: demonizimin e shqiptarëve të Kosovës.

“Serbia i dërgoi këto narrativa në botë dhe me këto narrativa arriti shumë, sepse në opinionin publik ekziston një mendim “shqiptarët e Kosovës nuk janë njerëz të mirë” që mjafton për të përballuar luftën e kosovarëve për t’u çliruar nga regjimi i Serbisë. Narrativa strategjike e Serbisë është që të mbajë kulmin e kësaj historie pavarësisht  faktit se është shtet i lirë. Serbia dëshiron që kjo histori të vazhdojë dhe të vazhdojë si një histori publike dhe nëse shikoni në këto perspektiva mund të shihni gjithashtu se ekziston një aluzion se serbët janë pas Dick Marty-t dhe jo kosovarët dhe unë jam shumë e ndërgjegjshme për të diskutuar motivimet rreth Dick Marty-t, Dick Marty po ashtu sepse si e shihni e gjithë historia po e eliminon atë tani si një person potencial që mbron gjërat”, tha ajo.

Nga pala mbrojtëse e ish-presidentit Thaçi, Gjykata Speciale po konsiderohet më shumë se sa veç anti-UÇK.

“Unë nuk do ta konsiderojë që është gjykatë vetëm anti-UÇK, fatkeqësisht po shihet se është një gjykatë mono-etnike, e cila për qëllim parësor si duket ka vetëm përndjekjen e shqiptarëve dhe kjo është e pa tolerueshme dhe është në kundërshtim të plotë me standardet  sepse nuk mund të ngrihet gjykata të kësaj natyre për të përndjekur një etni apo një popull të caktuar, gjykatat të çfarëdo natyre ngritën për të zbuluar të vërtetën dhe për të dënuar krimet e luftës të bëra nga agresori ndërsa në Kosovë rolet kanë qenë shumë të qarta, agresor ka qenë Serbia kurse populli i Kosovës ka bërë një luftë vet-mbrojtëse, dhe një luftë çlirimtare”, deklaroi Bekim Çollaku.

Çollaku, një nga njerëzit më të afërt të Hashim Thaçit si President, dhe tash pjesë e ekipit mbrojtjes së tij ka folur për InDoks për vetë akuzat me të cilat po përballët Thaç, Veseli, Selimi e Krasniqi. Më shumë për të metat e procesit.

“Ky proces, kjo gjykatë është pritur të sjell më të mirë sa i përket aspektit të ofrimit të drejtësisë qoftë për viktima mirëpo këtë rast edhe për të akuzuarit sepse drejtësia duhet të ju ofrohet të gjithëve apo palëve të përfshira në këtë proces, mirëpo nga ajo çka kemi parë deri më sot nuk e reflekton një gjë të tillë, procesi në vazhdimësi është përcjell me të meta të shumta prokuroria deri më sot nuk ka arritur as ti përmbylli hetimet e saj për këtë rast, nuk ka arritur që t’ia bëjë të ditur dhe t’ia zbulojë dokumentacionin palës mbrojtëse në këtë rast avokatëve të të akuzuarve, në vazhdimësi i ka fshehur provat shfajësueses që është një shkelje flagrante në një proces të tillë dhe për më tepër nuk është ende e gatshme për një proces të drejt gjyqësor lidhur me këtë rast, prandaj procesi meriton një vëmendje të shtuar të të gjithë organizmave kombëtar që kanë për qëllim zbardhjen e së vërtetës dhe sjelljen e drejtësisë për këto pretendime të ngritura nga prokuroria e aq më tepër është i papranueshëm fakti që gjatë gjithë kësaj periudhe kur kemi vonesa të tmerrshme në aspektin edhe kohor por edhe në aspektin procedural të të gjithë të akuzuarit mbahen padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë”, tha ai për InDoks.

Çdo kërkesë e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit për lirim nga paraburgimi merr një refuzim si me automatizëm.

Pse po ndodhë kështu? Për InDoks ka folur avokati amerikan i Hashim Thaçit, Richard Prosper. Disa ditë para se të jepe këtë intervistë, ai kishte qenë njëri prej shumë avokatëve që patën një takim virtual me Kryeministrin Albin Kurti

“Ne jemi të kënaqur që ai (Albin Kurti) po angazhohet që po fillon ta edukojë veten se çfarë po ndodh këtu sepse ky rast është më i madh se individët. Pra, se ky rast është për Kosovën. Fakti që UÇK-ja po quhet organizatë kriminale, e rëndësishme është që qeveria dhe populli i saj i kushton vëmendje dhe konkluzioneve nëse ky është një proces i drejtë. Shpresojmë që kryeministri, parlamenti dhe populli t’i kushtojnë vëmendje dhe të fillojnë të shprehen duke u bazuar në të kuptuarit e tyre se çfarë po ndodh”, tha avokati në InDoks.

Para se të përfshihej në këtë proces si avokat, Prosper ka qenë i përfshirë edhe në shumë tribunale ndërkombëtare. Përfshirë edhe atë për krime në Ish-Jugosllavi dhe procesin kur nga Serbia në Hagë u soll Sllobodan Millosheviçi.

Prosper tregoi edhe për atë se si ra në kontakt me presidentin Thaçi.

Fillova të isha i Përfshirë me presidentin Thaçi kur ai ishte ende në detyrë realisht, ai përmes kontakteve të tjera më kontaktoi për të parë nëse mund ta ndihmoja atë në atë kohë në intervistat e tij para Prokurorisë Speciale dhe kjo u kthye rreth shkurtit të vitit 2020. Ne filluam të kontaktonim me Prokurorinë në atë kohë”.

Deri tash janë mbajtur disa seanca përgatitore. Aktakuza është deponuar. Asaj në maj 2022 iu shtuan edhe disa raste të reja, por që akuzat mbetën të njëjtat: Përndjekje burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me forcë e personave, arrestim dhe ndalim i paligjshëm e trajtim mizor.

Si e sheh këtë aktakuzë avokati Pierre Prosper?

 “Unë besoj se Gjykata është e mangët në qasjen e saj. Ne kemi kaq shumë shqetësime në lidhje me atë që po ndodh. Njëra është mënyra se si po prezantohet çështja duke rivlerësuar historinë, ku vetëm duke dëgjuar për zmadhimin e aktiviteteve të UÇK-së dhe minimizimin e aktiviteteve serbe, nuk ka asnjë referencë në të vërtetën. Aktivitetet serbe mbi apo çfarë po bënin serbët, apo çka bëri Millosheviqi në atë kohë. Ne besojmë që, faktet, natyra e dëshmive të paraqitura janë të paplota”, deklaroi ai.

Sipas nesh, ajo që ata po bëjnë është kriminalizim i të gjithë organizatës (UÇK-së)”, derisa shtoi se ka prova mjaftueshëm që UÇK nuk ishte organizatë kriminale. Njëra ndër to partneriteti me ndërkombëtarët.

 “Absolutisht që ne do ta sfidojmë këtë sepse UÇK-ja shin partnere me komunitetin ndërkombëtar ata janë të mbështetur nga ai komunitet në përpjekjet dhe lëvizjet e tyre në drejtim të luftimit të serbëve. Ka mjaft prova që UÇK-ja ishte në partneritet me komunitetin ndërkombëtar- që nuk ishte organizatë kriminale”, u shpreh ai.

Akuza e ngritur “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” ndaj UÇK-së

“Unë nuk jam jurist nga profesioni mirëpo e di nga ajo çfarë kam lexuar që termin “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” ose akuza për ‘Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale’ është ndër akuzat më të vështirë të cilat do të mund ti dëshmonte ose t’i provonte një proces gjyqësor”, tha Çollaku.

“Jam i sigurt që aktakuza e tillë do të bie dhe është  plotësisht e paqëndrueshme mirëpo qëllimi është tepër tmerrues dhe tepër tendcioz sepse nëse kriminalizohet e gjithë Ushtria Çlirimtare, qeveria e përkohshme atëherë i bie që i gjithë që populli i Kosovës që ka luftuar për liri është pjesëmarrës në një organizatë të përbashkët kriminale dhe rrjedhimisht edhe ata që na kanë ndihmuar në fitimin e lirisë tonë duke përfshirë shtetet anëtare të NATO-s paskan qenë pjesëmarrës në një organizatë të përbashkët kriminale  dhe kjo është e pa dëgjuar e pa parë mirëpo jam i sigurt që do të jetë e pamundur që të provohet në një proces të drejt gjyqësor”, potencoi anëtari i Ekipit Mbrojtës të Thaçit.

Ndërkohë, Amer Alija nga Fondi i të Drejtës Humanitare tha se terminologjia ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ shpesh është keq-interpretuar në Kosovë.

“Ndoshta edhe nga mos dijenia e kësaj terminologjia për arsye se tingëllon shumë ngjashëm si ndërmarrje kriminale, ndërmarrje e përbashkët kriminale dallon prej ndërmarrjes kriminale pra, UÇK nuk është një ndërmarrje kriminale, ndërmarrja kriminale është kur një organizatë kriminale e ka një qëllim kriminal pra edhe anëtarësimin në atë ndërmarrje kriminale është i sanksionuar, anëtarësimi në UCK nuk është sanksionuar dhe çdo kush që ka luftuar në UCK nuk ka marrë pjesë në ndërmarrje kriminale. Ndërmarrje e përbashkët e kriminale është forma e përgjegjësisë kriminale ku një grup i anëtarëve të ndërmarrjes së përbashkët kriminale e kanë një qëllim dhe një plan që ta kryejnë një krim pra me fjalë më të thjeshta ndërmarrje e përbashkët kriminale mund ta quajmë si me ligjet e Kosovës, si bashkë-kryerje pra nuk është ndërmarrje kriminale”, sqaron ai.

Tashmë kjo lloj akuze ka avancuar dhe është ndarë edhe në lloje varësisht nga veprimet e përgjegjësitë, sqarimin për to e jep Alija.

“Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, kryesisht është përdorur tek Tribunali i Hagës, dhe më shumë është zhvilluar kjo forma e përgjegjësisë tek ky tribunal, tani aq shumë është zhvilluar sa që është ndarë në 3 kategori, e kemi ndërmarrje kriminale themelore ku e kemi qëllimin e përbashkët të krejt grupit, ta marrë një shembull – qëllimi i përbashkët p.sh tek kategoria themelore është kur edhe eprori edhe vartësit e kanë qëllim që ta pastrojnë le të themi etnikisht Kosovën dhe ai është qëllimi primar dhe qëllimi kryesor, pra është kategori themelore. Pastaj e kemi kategorinë sistematike, ka të bëjë më shumë me qendrat e ndalimit, maltretimi i të ndaluarve e të tjera dhe ndërmarrje e përbashkët kriminale e zgjeruar kemi të bëjmë me devijim nga ndërmarrja e parë p.sh urdhri ka qenë që të bëhet spastrimi por aty-këtu ndonjë ushtarë ka bërë ndonjë vrasje, ndonjë dhunim atëherë e kemi të bëjmë me ndërmarrjen e kategorisë së tretë”.

Alija thotë që në praktikat e Tribunaleve akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale nuk është aspak e re. Madje është tejet e zakonshme.

Kur flitet për vetë akuzën për ndërmarrje të përbashkët kriminale për krerët e UÇK-së, kishte shprehur dyshimet e saja edhe vet Prokuroria që ndoqi Sllobodan Millosheviçin.

“Nuk mund të krahasohen krimet e forcave të Millosheviçit me ato të UÇK-së. Ky është një gabim i madh nga ana e atyre që përgatitën këtë aktakuzë”, kishte deklaruar Del Ponte për një medium zviceran.

Lidhur me shprehjen “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në aktakuzë, ajo kishte thënë që atë e sheh si diçka të ekzagjeruar. “Dhe unë gjithashtu dyshoj si ju, nëse ata që e përpiluan këtë aktakuzë i bënë “copy-past”, aktakuzës kundër Millosheviçit dhe kjo gjë nuk është e drejtë”, kishte thënë Del Ponte.

Ky prokuror amerikan, Clint Williamson, ishte angazhuar që të hetonte mbi raportin që ishte miratuar nga Këshilli i Evropës, raportin e Dick Maryt që akuzonte rëndë UÇK-në, përfshirë këtu edhe për trafikim organesh. Ai nuk gjeti prova për këtë akuzë. Por, për çudi, pos kësaj deklarate, raporti i tij i plotë kur nuk iu bë i ditur publikut. Madje, edhe avokati i Hashim Thaçit rezervohet të tregojë nëse Prokuroria në Hagë ia ka dhënë mbrojtjes këtë raport – që nuk mundi deri tash ta shoh publiku.

 “Nuk e di, nuk dua të flas për ndonjë kontakt që mund të kemi me Martin, por ajo që është e qartë për ne është se Specialja është krijuar në bazë të raporti të Martit. Kjo ishte arsyeja që Dhoma e Specializuar nuk kishin të bënin pastaj asgjë me raportin e Martit. Për shkak se nuk ka asnjë referencë dhe asnjë provë  në lidhje me trafikimin e organeve, kështu që pyetja për Bashkimin Evropian është pse ne jemi ende këtu? BE-ja e keni krijuar këtë, dhe raporti i Martit nuk është as pjesë e akuzës”, tha Prosper.

Edhe pse avokati amerikan i Thaçit rezervohet që të flas nëse duhet Dick Marti të dëshmoi në rastin Thaçi dhe të tjerët, Dr. Nevenka Tromp është këmbëngulëse se ai duhet të dëgjohet si dëshmitar.

“Absolutisht se si kjo gjykatë mund të tregojë autoritet dhe integritet nëse personi që ka nxitur krijimin e saj në deklarime krejtësisht të pabaza mund të lihet jashtë procesit ligjor procesi penal juridik ku besimi i  69 votave, në këto momente ndoshta do të vijë më shumë të vendoset. Nuk mund të keni një gjykim, dhe numërim të mundshëm mbrapsht nëse gjyqtarët nuk do të kenë mundësinë të dëgjojnë atë që Dick Marty, personi më përgjegjës për krijimin e kësaj gjykate, për dëgjuar atë, por edhe për ta  ekzaminuar nga afër nga të dyja palët, Prokuroria e mbrojtja”, deklaroi Tromp.

“Për të gjithë ne është shumë e qartë Ushtria Çlirimtare ka bërë luftë të drejt dhe ne nuk kemi luftuar jashtë territorit tonë, UCK ka qenë e organizuar në baza vullnetare,, Kosova nuk ka qenë një shtet i pavarur dhe sovran gjatë luftës për liri prandaj edhe tendenca për ta paraqitur Kosovën ose UÇK si një organizatë e përbashkët kriminale janë tendenca të cilat janë të destinuara të dështojnë”, tha Çollaku.

Avokati Prosper e monitoruesi i FDH-së u deklaruar lidhur edhe me atë se sa mund të zgjasë gjykimi ndaj ish-krerëve.

 “Fatkeqësisht, ky rast do të marrë një kohë të gjatë. Tani ata (Prokuroria) po thonë se u duhen mbi 1800 orë për të paraqitur rastin e tyre, dhe le ta vendosim këtë në kontekstin që është vetëm prezantimi i rastit. Do të duhen disa vite nëse bëjmë llogaritë, po flasim 3 vjet, duke marrë parasysh pushimet e kështu me radhë, atëherë koha e mbrojtjes, deri sa të mbarojë gjykimi. Pra, të paktën 5 vjet. Si e ktheni këtë kohë?”, tha Prosper.

“Tek rasti Thaçi dhe të tjerët unë nga monitorimi i proceseve kemi dëgjuar që prokuroria i ka mbi 300 dëshmitarë dhe nëse është plani i tyre që të dëgjohet secili dëshmitarë dhe një dëshmitarë mund të dëgjohet 1-3 ditë varet prej deklaratës së tij pastaj e kemi edhe mbrojtjen e cila do të bën ekzaminim po ashtu do t’i propozojë dëshmitarët e vet, ky proces do të zgjasë disa vite, pastaj e kemi shkallën e dyte , të tretë atëherë ky proces do të zgjasë disa vite”, tha Alija.

Derisa procesi përgatitor për gjykim po zgjatë me vite, parashikimet janë që vet gjykimi do të jetë edhe shumë më i gjatë. Çka nëse të akuzuarit dalin të pafajshëm? Kush do të mbahet përgjegjës për privimin nga liria edhe për disa vite sa pritet të gjasë gjykimi?

/GazetaInsajderi

InDoks | Gjykata anti-UÇK

Këto janë kategoritë e akuzës “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” – njërën prej tyre po akuzohen edhe Thaçi e të tjerët

Këto janë shkeljet që po bën Specialja në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve

Gjykimi në Hagë – Avokati amerikan i Thaçit ka disa fjalë për kryeministrin Kurti

“UÇK nuk është organizatë kriminale” – paralajmërimi i avokatit amerikan të Thaçit ndaj Speciales

“Ka mjaftë prova që UÇK nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”

A duhet të ftohet Dick Marti si dëshmitar në Gjykatën Speciale ku po gjykohet krerët e UÇK-së?

Sa vjet mund të zgjasë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë?

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark