Dy prokurore të shtetit, Elza Bajrami-Kastrati dhe Fitore Sadikaj, të cilat në periudha të ndryshme kishin pasur në duart e tyre fatin penal të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përfunduan të angazhuara me pagesë pikërisht në organizatën që ai drejton, shkruan Insajderi.
Marsi i vitit 2023: Prokurorja Bajrami-Kastrati përfaqësoi në gjykatë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë kundër Agim Ademit për veprën penale “detyrim”. Procesi përfundoi në shkallë të parë me një aktgjykim lirues për Ademin.
Vetëm një vit e gjysmë pas këtij lirimi, prokurorja në fjalë, me vendim të Kryeprokurorit të Prishtinës u caktua si anëtare në komisionet operative të FFK-së, me një pagesë prej 300 eurosh në muaj.
Sipas deklarimeve të saj të pasurisë, Bajrami-Kastrati arkëtoi rreth 600 euro në fund të vitit 2024, ndërsa përgjatë vitit 2025 të hyrat e saj nga FFK-ja arritën në mbi 3,900 euro.



Prokurorja Fitore Sadikaj kishte në duar një dosje të rëndë hetimesh ndaj Agim Ademit, e cila përfshinte dyshime për menaxhim të keq financiar, keqpërdorim biletash, kurdisje ndeshjesh, evazion fiskal dhe punësime të jashtëligjshme. Megjithatë, më 22 gusht 2023, Sadikaj vendosi t’i mbyllte përfundimisht këto hetime përmes një “Raporti për Mbylljen e Rastit”, me pretendimet se nuk kishte elemente të veprës penale.
Gati tre vjet pas mbylljes së kësaj dosjeje, në mbledhjen e KPK-së të mbajtur më 15 qershor 2026, u aprovua kërkesa e FFK-së që po kjo prokurore të emërohej anëtare e Komisionit për Akte Normative të federatës, pozitë kjo që gjithashtu shoqërohet me kompensime financiare.
A paraqet konflikt interesi angazhimi i prokuroreve në FFK?
Kur u pyet specifikisht nëse angazhimi i prokurores Elza Bajrami-Kastrati në komisionet e FFK-së përbën konflikt interesi, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për Insajderin tha:
Bara e Përgjegjësisë: Agjencia sqaroi se nuk i ka dhënë asaj një autorizim të pakushtëzuar. Barra për të siguruar pajtueshmërinë e angazhimit me ligjin dhe me rregullat e brendshme të KPK-së bie mbi vetë prokuroren. Ajo është e obliguar të deklarojë konfliktin e interesit dhe të përjashtohet nga çdo vendimmarrje ose procedurë që ndërlidhet me FFK-në.
Kur u pyet specifikisht nëse angazhimi i prokurores Fitore Sadikaj në FFK përbën konflikt interesi (duke pasur parasysh se ajo kishte hetuar dhe mbyllur rastin ndaj Agim Ademit), Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit për Insajderin tha: