Manchester United ka pësuar një tjetër humbje, e 10-ta këtë edicion në Ligën Premier.
Djajtë e Kuq me humbjen ndaj Arsenalit 3-1 i kanë zbehur gjasat për të zënë një vend që i dërgon edicionin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve.
Mesfushori skocez, Scott McTominay ka kritikuar ashpër ekipin, duke folur i dëshpëruar pas humbjes në Emirates Stadium.
“Kemi pasur shumë probleme së fundmi, nga ne lojtarët, stafi. Kanë ndodhur shumë gjëra në një kohë të shkurtër dhe në dy muajt e fundit na ka munguar vetëbesimi”.
“Duhet të shkojmë në shtëpi dhe të shohim veten në pasqyrë, nuk mund të jemi të kënaqur kur kemi pësuar tre gola dhe kemi humbur ndaj Arsenal, një ndeshje të cilën meritonim ta fitonim”.
“Në këto katër ndeshjet e fundit duhet të tregojmë krenari, të tregojmë guxim në fushë. Ne duhet të jemi gati kur të vijë trajneri i ri, duhet të jemi të përqendruar dhe ta befasojmë atë”, u shpreh McTominay.
Djajtë e Kuq pas 34 ndeshjeve në Ligën Premier ndodhen në vendin e gjashtë në tabelë me 56 pikë të grumbulluara.