Policia e Kosovës ka vënë në pranga katër persona për mashtrim në vlerë prej mbi 1,5 milion eurosh.
Në njoftimin e PK’së bëhet e ditur se të dyshuarit përmes falsifikimeve të dokumente personale të Serbisë dhe dokumente të tjera kanë arritur ta tjetërsojnë përmes një noteri pronën e ankuesit M.T. në sipërfaqe prej 36 ari, shkruan Insajderi.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas një pune operative-hetimore kanë arritur të sigurojnë informata/prova, të cilat dëshmojnë se të dyshuarit M. M., Sh. B., D. R. dhe B. Zh., përmes veprimeve të kundërligjshme (falsifikimin e dokumenteve/pasaportën e Serbisë dhe dokumente tjera) dhe duke i përdorur si të vërteta dokumentet e rrejshme (gjithashtu duke prezantuar një person të rrejshëm si person i vërtetë), kanë arritur që ta tjetërsojnë/shesin përmes noterit, pronën e ankuesit M.T. në sipërfaqe prej 36.28 ari dhe njëkohësisht duke mashtruar blerësin H.M., se kinse janë duke ia shitur pronën me dokumentacion të rregullt, ku në këmbim të kësaj kanë marrë të holla në vlerë totale prej 1,578,180.00 euro”, thuhet në njoftim.
“Përmes urdhrit verbal nga prokurori i rastit, janë realizuar kontrolle në 5 lokacione të ndryshme, me ç’rast janë gjetur mjete monetare në vlerë prej 9,000.00 euro, të cilat janë sekuestruar si provë në procedurat e mëtejme”, vijon njoftimi.
“Sot me datën 19.02.2026 të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar në cilësi të personave të dyshuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe pas konsultës me prokurorin e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh”. /Insajderi.org/