Me kërkesë të Ministrisë turke të Mbrojtjes, Qeveria merr vendim për dërgimin e FSK-së në Turqi - Insajderi
×
Insajderi

Me kërkesë të Ministrisë turke të Mbrojtjes, Qeveria merr vendim për dërgimin e FSK-së në Turqi

Insajderi
06 February 2023 - 20:14
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për dërgimin e një kontingjenti të ushtarëve të FSK-së në Turqi për ndihmë pasi ky vend u godit nga tërmete shkatërruese. Presidentja Vjosa Osmani ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mbledhja e Qeverisë është mbajtur në formë elektronike të orët e para të mbrëmjes të së hënës. Në komunikatën e dërguar në medie, bëhet e ditur se dërgesa e kontingjentit është bërë me kërkesë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një mbledhje elektronike ka miratuar vendimin për dërgimin e Kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se populli i Kosovës qëndron pranë Turqisë në këto kohë të vështira.

“Republika dhe populli i Kosovës i qëndrojnë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këto kohë të vështira”, shkruan komunikata.

Po ashtu, Presidentja Osmani ka shprehur solidaritet të plotë me popullin e Turqisë dhe ka deklaruar se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e nevojshme.

Janë mbi 2,500 të vdekur deri tani dhe mijëra të lënduar nga tërmeti i fuqishëm që goditi Turqinë Jugore dhe pjesë të Sirisë në mëngjesin e sotshëm. Numri i viktimave ende është në rritje.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark