Insajderi
Analiza

Me nënshkrim të Albin Kurtit, si nisi afera “rezerva shtetërore” që u kurorëzua me një aktakuzë të madhe

Insajderi
11 November 2025 - 20:13
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Me nënshkrim të Albin Kurtit, si nisi afera “rezerva shtetërore” që u kurorëzua me një aktakuzë të madhe
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Qeverisë Kurti, Rozeta Hajdari, ish-sekretarit të saj Irfan Lipovica, zyrtarit H.G. dhe biznesmenit Ridvan Muharremi – i njohur si “kuzhinieri i Kurtit” – për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë shtetërore në aferën e rezervës shtetërore. Por si nisi gjithçka?

Gazeta Insajderi

Me “izë” të Albin Kurtit, kontrata për rezerva shtetërore u klasifikua si sekrete. Në një vendim të datës 26 shkurt të 2022-ës, Kurti aprovonte kërkesën e ministrisë së Hajdarit që çështja e rezervave të shtetit të përjashtohej nga procedurat e prokurimit dhe të klasifikohej si sekrete, raporton Gazeta Insajderi.

“Aprovohet kërkesa e Departamentit të Rezervave Shtetërore Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që t’u mundësohet përjashtimi nga procedurat e prokurimit për furnizim me produkteve të Rezervës Shtetërore të Mallrave, duke e klasifikuar lëndën e kontratës si sekret, në bazë të Ligjit Nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave, dhe Rregullores (QRK) Nr. 03/2019 për Prokurimin për Qëllime të Mbrojtjes dhe të Sigurisë“, thuhej në vendimin e Qeverisë, që kishte nënshkrimin e Kurtit.

Afera me rezerva u bë publike në gusht të 2023-ës, ku raportohej për mos‑dorëzim të mallrave të blera për rezervat shtetërore. Në qendër të akuzave ishte një sasi gruri dhe vajit, e blerë për rezervat shtetërore, që sipas raportimeve nuk kishte mbërritur në Kosovë dhe që kishte dëmtuar buxhetin për miliona euro.

Gazeta Insajderi kishte raportuar me burime se kjo ministri kishte shkarkuar sekretarin e përgjithshëm, Irfan Lipovicën, po për këtë çështje, ndaj të cilit sot po ashtu u ngrit aktakuzë. Nga institucioni ku punonte Lipovica, kjo donte të mbahej e fshehur.

Të pandehur në këtë rast, krahas Rozeta Hajdarit janë: Ridvan Muharremi (“Kuzhinieri i Kurtit”), Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Dosja e Prokurorisë lidhur me Ridvan Muharremin përshkruan se, që nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, ai ka ndihmuar me qëllim të krijimit të mundësive për veprime inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. Sipas aktakuzës, Muharremi ka luajtur rol kyç në sigurimin e kushteve dhe në propozimin e operatorëve ekonomikë për furnizimin me rezervat shtetërore.

Prokuroria përmend se janë propozuar dy kompani: “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa, Turqi, për furnizim me grurë, dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni, për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. Dosja tregon se Muharremi, pa autorizim, ka marrë pjesë në negocimin e kontratave mes operatorëve ekonomikë dhe pandehurve Lipovica e Gara, duke luajtur një rol vendimtar në përcaktimin e kushteve të kontratave.

Në lidhje me Irfan Lipovicën, zyrtar i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Prokuroria thotë se ekzistojnë dyshime të bazuara se ai, në cilësinë e zv/sekretarit të përgjithshëm, ka tejkaluar autorizimet ligjore që nga shkurt 2022, me qëllim të përfitimit pasuror për të tjerët dhe shkaktimit të dëmit për buxhetin e Kosovës. Lipovica dyshohet se ka lejuar që procedura e hapur e prokurimit publik të anashkalohej, duke propozuar në Qeveri përjashtimin e procedurave të rregullta dhe klasifikimin e tyre si “sekrete”, për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. Më pas, duke u bazuar në këtë kërkesë, ai ka nxjerrë vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, duke anashkaluar procedurat ligjore të prokurimit.

Sa i përket Hafiz Garës, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), Prokuroria thotë se ai gjithashtu ka tejkaluar autorizimet e tij ligjore, duke bërë kërkesën te Lipovica për përjashtimin e procedurave të prokurimit më 25 shkurt 2022, pavarësisht se e dinte se kjo nuk kishte bazë ligjore. Kjo kërkesë më pas u adresua te Qeveria, me qëllim të kufizimit të konkurrencës dhe fshehjes së shkeljes së ligjit.

Dosja përshkruan se për shkak të veprimeve të Lipovicës dhe Garës, Ridvan Muharremi ka mundur të veprojë si ndërmjetës midis MINT dhe operatorëve ekonomikë, duke ndikuar drejtpërdrejt në negociimin dhe nënshkrimin e kontratave për furnizimin me grurë, vaj luledielli dhe sheqer nga kompani në Turqi dhe Poloni.

Një gjë e tillë thuhet edhe në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Speciale për ngritje të aktakuzës.

“Të pandehurit R.H., I.L dhe H.G. akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Patetizmat e qeveritarëve dhe ‘Ridit’

Në seancën dëgjimore ku ishte marrë vendimi nga Gjykata Themelore e Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ridvan Muharremi si dhe dy zyrtarëve të MINT-it, para se gjykata të merrte vendim që të liheshin të lirë, mbrojtja e këtij të parit pati dhënë deklarata patetike.

Avokati i Ridvan Muharremit, citohej të ketë thënë se klienti i tij e la Zelandën e Re për Kosovën dhe se “gjithmonë i përgjigjet atdheut”.

“I pandehuri Ridvan Muharremi deklaron se në tërësi pajtohet me pretendimet e mbrojtësit e tij dhe mbështet deklaratën që ka dhënë me shkrim në polici dhe në prokurori, thekson se ka ardhur nga Zelanda e Re në Kosovë bashkë me familje për të jetuar dhe kontribuar në Kosovë”.

“Sipas avokatit Halimi, i dyshuari Muharremi është afarist i shkëlqyer dhe që gjithmonë i përgjigjet atdheut sa herë që e kërkon nevoja”.

Me patetizëm sillej edhe vetë Hajdari, e cila kur pyetej për këtë çështje thoshte se nuk është në dijeni që po hetohet nga institucionet përgjegjëse. Madje, kur ftohej për herë të fundit nga Prokuroria Speciale, Hajdari insistonte se nuk ishte intervistuar kur ishte ftuar për të “folur” para hetuesve për rezervat shtetërore.

Për këtë çështje, si dëshmitar ftohej kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ftesat nga organi i posaçëm i akuzës i merrte me përbuzje. Kurti u dënua me 250 euro gjobë pse s’shkoi për të dhënë dëshmi për rastin.

Madje, përmes një letre i kërkonte Gjykatës Themelore në Prishtinë që hetuesit të vinin dhe ta merrnin dëshminë e tij në Zyrën e Kryeministrit, nën pretendimin se kjo praktikë ka ndodhur në të kaluarën.

“Megjithatë, duke marrë parasysh rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që ai mban, Kryeministri ka kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrat e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë në raste të ngjashme në Kosovë e edhe më gjerë. Prokuroria nuk është përgjigjur në asnjë propozim të Zyrës së Kryeministrit, rrjedhimisht nuk ka dhënë asnjë arsye pse e ka të pamundur të intervistojë Kryeministrin në datat dhe ambientin e propozuar”, thuhej ndër të tjera në letër.

Pos tjerash, Kurti në deklaratat e tij publike po ashtu prezantonte datat dhe orët kur është i lirë për të dhënë dëshmi. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark