Ylli argjentinas, Lionel Messi pritet ta fitojë për herën e tetë “Topin e Artë”, në ceremoninë që do të mbahet këtë muaj, duke u bërë lojtari i parë që luan jashtë Evrope për ta rrëmbyer këtë çmim.
“Daily Mail” dhe “Sport.es”, kanë raportuar se Messi tashmë ka fituar votat para sulmuesit të Manchester Cityt, Erling Haalandit. Me këtë çmim, Messi do të vendos rekord të ri, pasi kjo do të jetë hera e tetë që ylli argjentinas e fiton “Topin e Artë”.
Në fakt, Messi do ta rikthejë këtë çmim, të cilin vitin e shkuar e fitoi sulmuesi Karim Benzema, i cili tani është pjesë e Al-Ittihadit në Arabinë Saudite.
Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të mbahet në fund të këtij muaji në Paris, ndërsa Messi ka siguruar “Topin e Artë” pasi udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës “Katari 2022”.
Messi po ashtu, e fitoi edhe titullin e kampionit të Francës me Paris Saint-Germainin, ekip prej të cilit u largua këtë verë për t’u transferuar tek Inter Miami në MLS. 36-vjeçari, për herë të parë e ka fituar “Topin e Artë” në vitin 2009, për të vazhduar pastaj në vitin 2010, 2011, 2012, 2015, 2019 dhe 2021.