×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Memli Krasniqi nis javën e pavarësisë me homazhe për Adem Demaçin: Duhet t’i ngritet shtatore në Prishtinë

    Insajderi
    13 February 2023 - 08:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me familjen e tij, ka nisur sot javën e aktiviteteve për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

    Bashkë me gruan e tij Melizën dhe fëmijët Borën, Malin dhe Verën, kreu i PDK-së ka bërë homazhe te varri i qëndrestarit Adem Demaçi ku tha se ka nisur kështu Javën e Pavarësisë, përplot me aktivitete, vizita dhe mirënjohje.

    “Adem Demaçi është simboli i sakrificës, guximit dhe atdhedashurisë – karakteristika të cilat mishërojnë përpjekjet e shumë brezave në rrugën e lavdishme të lirisë”, tha Krasniqi duke bërë publike për herë të momente të veçanta të Adem Demaçit në prag të shpalljes së pavarësisë më 2008.

    “E kujtoj si sot, Adem Demaçi ishte një ndër personat e vetëm të cilin ish-Kryeministri Hashim Thaçi e kishte ftuar në ndërtesën e Qeverisë në mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 2008, për të ndarë me të të gjitha përgatitjet finale për Ditën e shpalljes së Pavarësisë – përfshirë edhe prezentimin e flamurit të Kosovës. Ishte një ndër momentet më emocionuese që kisha përjetuar deri atëherë”, tha Krasniqi.

    Lideri i opozitës tha se Adem Demaçi nuk është thjesht një emër, por është institucion.

    “Prandaj, kujtesa, respekti dhe mirënjohja historike ndaj personalitetit të tij duhet të tregohet edhe përmes ngritjes së një shtatoreje meritore në Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës do ta merr këtë nismë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këtë ia kemi borxh Adem Demaçit. Ia kemi borxh Kosovës!”, tha Krasniqi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark