Aventura e Memphis Depayt te Corinthiansi po shkon drejt fundit. Kontrata e holandezit nuk do të vazhdohet, për arsye thjesht ekonomike.
Corinthians e ka komunikuar vendimin për të mos e vazhduar kontratën e Memphis Depayt, përcjell “Gazeta Express”.
Zgjedhja, siç saktësohet në njoftimin e klubit nga Sao Paulo, është diktuar ekskluzivisht nga arsye financiare, me synimin për ta garantuar ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë ekonomike të klubit.
Drejtuesit dhe presidenti Osmar Stabile kanë shprehur mirënjohje të thellë ndaj futbollistit dhe stafit të tij për angazhimin e treguar gjatë negociatave dhe për paraqitjet në fushë.
Në total, sulmuesi holandez largohet nga ‘Timão’ pas 79 paraqitjesh, 20 golash dhe tre trofeve të fituar: Campeonato Paulista dhe Kupa e Brazilit në vitin 2025, të pasuara nga Supercopa Rei në vitin 2026.
Negociatat për vazhdimin e kontratës u zgjatën përtej afateve të zakonshme për shkak të nivelit të lartë të futbollistit dhe përpjekjeve të bëra nga të gjitha strukturat e klubit për ta mbajtur atë.
Megjithatë, analiza e kostove aktuale dhe të ardhshme e detyroi klubin ta vendoste një kufizim të përgjegjshëm, për ta shmangur rrezikimin e financave të shoqërisë.
Për t’i sqaruar detajet e ndarjes dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të mediave, presidenti i klubit e ka njoftuar tashmë organizimin e një konference për shtyp në ditët në vijim.