
Kush e njeh dhe di për jetën e Halil Matoshit, poet, eseist, tregimtar, gazetar, etj., që merret edhe me pikturë, që ka qenë katër herë i arrestuar nga pushtuesi serb, ndërsa gjatë luftës (1999) e morën peng dhe e dërguan në kampet e tyre të përqëndrimit, etj., shikon se kështu është dhe poezia e tij, një lëvizje dramatike, akte shpirtërore, dashuri dhe nderim.
Halil Matoshi jeton siç shkruan dhe shkruan siç jeton, pa një kufi mes tyre.
Libri i tij më i ri “Poema e Lilit”, është prurje tjetër në poezinë shqipe, vazhdues i vlerave të përbashkëta poetike dhe pasurues i tyre. Ky libër sublimon kohë dhe vend, pra nga jeta e tij dhe trualli i tij, nga shpirti shqiptar, nga fati dhe trazavajet, nga përvoja më e mirë e poezisë shqipe, veçanërisht nga ajo që është arritur në Kosovë, e derdhur natyrshëm në një formë sa kombëtare, po aq dhe europiane, e gjitha e tij, ngazëllim dhe gjëmë, britmë dhe dinjitet, fashitje dhe vështrim brenda vetes.
(Mendim për librin “Lil’s poem” të poetit të mirënjohur kosovar Halil Matoshi, i botuar nga shtëpia botuese prishtinase “Littera”)