Yll Bogaj, ish-asamblist i AAK-së në Komunën e Prishtinës, njëherësh edhe pronar i një objekti në lagjen “Ulpiana” – për të cilën ministri i Bujqësisë, Faton Peci po pretendon se i takon Institutit Bujqësor të Kosovës – ka reaguar pas vendimit që t’i merret prona nga shteti.
Bogaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka deklaruar se familja e tij objektin banesor e kishte blerë nga personat fizik, e jo nga Instituti i Bujqësisë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Për informimin tuaj korrekt, ne jemi një familje e thjeshte dhe e zakonshme kosovare. Objekti të cilin e kemi në pronësi, është objekt banesor i blerë në mënyrë legjitime e legale nga personat fizik, përmes kontratave të lidhura pranë organeve kompetente, e jo nga Instituti i Bujqësisë. Certifikatat pronësore janë në emër tonin, përkatësisht numrat e fletave poseduese janë: O-71914059-07433-0-465-2-4-0 dhe O-71914059-07433-0-465-2-2-0”, ka deklaruar ai.
Më tej, Bogaj e ka vlerësuar si “mentalitet Stalinist për eliminimin e pronës private” vendimin e ministrit Peci që ky objekt të merret në zotërim nga ministria që ai udhëheq.
Ai ka paralajmëruar padi ndaj ministrit Peci, si dhe që do t’i njoftojë institucionet vendore dhe ndërkombëtare për këtë.
Ministri Peci e ka marrë drejtësinë në dorë. Pa pritur që të kryhen hetimet nga Prokuroria Speciale, ai ka vendosur që objekti në fjalë t’i kthehet Institutit Bujqësor të Kosovës, bashkë me disa vila në fshatin Stankaj të Pejës.
Peci thotë se përkundër denoncimit të tij se në atë objekt që thotë se është i shtetit po ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme, ska pasur “asnjë veprim nga Prokuroria Speciale”.
“Që nga viti 2012 në këtë objekt dhe përreth tij ushtrohen shumë veprimtari të paligjshme. Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës para afër një viti unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam ofruar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit”, tha Peci nëpërmjet një video të shpërndarë nga VV-ja.
“Asnjë veprim nga Prokuroria Speciale- 700 metra katrorë lokale afariste të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme;- Tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private;- Shndërrim i oborrit në depo;- Mosveprim nga 5 ish-Ministra.E gjithë kjo, në pronë të Ministrisë së Bujqësisë dhe për asnjë moment nuk kemi parë ndonjë veprim nga ana e Prokurorisë Speciale”, thuhet në përshkrimin e videos. /Insajderi.org/