×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Mes molotovit e protestave të VV’së, si ishte votuar Thaçi për President para 7 viteve

    Insajderi
    26 February 2023 - 16:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sulme me koktej molotovi, gaz lotsjellës në seancë dhe deputetët e opozitës në pranga. Mes gjithë kësaj situate u zgjodh presidenti i katërt i Republikës së Kosovës. Vetëm në raundin e tretë të votimeve, Hashim Thaçi kishte arritur të zgjidhet i pari i shtetit.

    Në dy raundet e para Thaçi nuk kishte arritur të merrte 80 vota sa i nevojiteshin. Tek në raundin e tretë, Thaçi arriti t’i sigurojë votat me ndihmën e partnerit të koalicionit, LDK’së dhe Listës Serbe. Ai fitoi 71 vota, kurse 10 fletëvotime ishin të pavlefshme.

    Ndërsa, kundërkandidati i tij, Rafet Rama në raundin e parë mori 4 vota, në të dytin 2, në raundin e fundit nuk e mori asnjë votë.

    Votimi i presidentit u mundësua vetëm pas largimit me forcë të deputetëve opozitarë nga salla e Kuvendit, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në sallë.

    Në pjesën e parë të seancës, deputetët e opozitës diskutuan kundër zgjidhjes së Thaçit në postin e presidentit, duke e akuzuar atë dhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafën, për veprime të dëmshme kundër Kosovës. Bëhej fjalë për marrëveshjet e arritura në bisedimet me Serbinë, si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

    Ndërsa me të marrë fjalën deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, opozitarët reaguan duke hedhur gaz lotsjellës. Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, dhe ai i AAK’së, Bali Muharremaj ishin të parët që hedhën gazlotsjellës.

    Kështu seanca u ndërpre dhe u paralajmërua pauzë 10-minutëshe, e cila më pas zgjati rreth një orë për shkak se kryesia e Kuvendit mbajti mbledhje urgjente në të cilën vendosi që të përjashtojë nga seanca deputetët e opozitës: Ismajl Kurteshin, Time Kadriajn, Teuta Haxhiun, Faton Topallin, Pal Lekajn dhe Bali Muharremaj.

    Pak minuta pasi deputetët u kthyen në Kuvend, deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, hodhi gaz lotsjellës sërish. Dhe sërish seanca u ndërpre për të shkuar në pauzën e dytë. Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e dytë urgjente vendosi që të përjashtojë edhe pesë deputetë të tjerë opozitarë: Albin Kurtin, Albulena Haxhiun, Visar Ymerin, Mytaher Haskukën dhe Salih Salihun.

    Derisa ishin duke u zhvilluar raundet e votimeve, jashtë parlamentit, Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë grupe protestuesish që kanë hedhur shishe me benzinë në kundërshtim të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Të paktën 11 pjesëtarë të policisë dhe një protestues janë lënduar gjatë përleshjeve.

    Hashim Thaçi detyrën e presidentit e ka marrë më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës. Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit, për t’u nisur menjëherë drejt Hagës, për shkak të aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale.

    Në konferencën e fundit si President, ai ka thënë se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Speciale.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark