Trajneri legjendar i xhudos, Toni Kuka, ka shkruar një mesazh prekës pas eliminimit të kampiones olimpike, Majlinda Kelmendit, në rundin e parë në edicionin aktual të Olimpiadës, “Tokio 2020”.
“Krenaria e veprimtarisë time …Majlinda të falenderoj për jetë!”, shkruan Kuka në Facebook.“Do jesh gjithmonë Kampione Olimpike,Botërore e Evropiane!”
Kuka i tha Kelmendit që fitorja e Distria Krasniqit e cila u stolis me medaljen e artë dje vlen për të gjithë ekipin, teksa Kelmendi do të mbetet përgjithmonë kampione e Evropës, botës dhe e Olimpiadës, dhe kërkoi nga ajo që të mos hidhërohet pasi që e ka gëzuar popullin shqiptar aq shpesh e shumë.“Sot mos u hidhëro,puna e sakrifica,djersa e gjaku që ke derdhur për veten tande,për mua,familjet tona,popullin Shqiptar tu ka shpërblyer gjatë karrieres. Mos u hidhëro se e arta e Disit është e të gjithë neve e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem,kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit Shqiptar! Zoti të ka shpërblyer punën tande,lëndimet ishin sfida që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtnisht”.
“Kokën lartë Majlinda! Krenar me ty deri në frymën time të fundit”.