Lisjan Perolli, anëtari i Partisë Social Demokrate, ka reaguar pas shkrimit të Gazetë Insajderi, ku tregohet se si janë thirru mësimdhënëset e Gjilanit të marrin pjesë në takimin me Albulena Haxhiun, ministren e Drejtësisë.
“Institucioni në dorën e partisë bëhet instrument që shfrytëzohet për interesa të partisë. Në këtë rast, për tubime të suksesshme. Shikoje ti, obligon pjesëmarrjen. Se mos t’i shkoj mendja kujt të mungoj. DKA, që rrin në hierarki mbi ju, ju urdhëron kështu”, ka shkruar ai, transmeton Gazeta Insajderi.
“Është paradoksale; propozojnë mitingje kundër dhunës gjinore që rrënjë ka në hierarki pushteti, patriarkalizëm, duke i detyruar e obliguar gratë prej pozicioni të hierarkisë, pushtetit, që të marrin pjesë. Kështu as për afër nuk duket emancipimi. Me qasje të tillë realiteti i tanishëm i grave riprodhohet. Por, me rëndësi të duket tubimi i partisë i bukur e i madh”, vazhdon shkrimi i tij.