×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza

    Mijëra euro nga xhemati për xhaminë që nuk po përfundon, Insajderi sjell detaje nga hetimi i Prokurorisë

    Insajderi
    04 July 2022 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deri tash janë dhënë mijëra euro. Xhamia ende nuk ka përfunduar. Peticionet e ankesat e banorëve kanë qenë të shumta. Dyshimet kanë shkuar deri aty sa për xhaminë në Bajgorë të Mitrovicës të përfshihet edhe Prokuroria. Insajderi sjell rrëfimin tjetër për këtë xhami.

    Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime të Rënda ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për dyshimin e keqpërdorimit të fondeve nga udhëheqësit e Bashkësisë Islame në këtë komunë.

    Prokuroria, tanimë ka ndërmarrë veprimet e para. Rasti është duke u hetuar.

    “Për rastin është paraqitur kallëzim penal nga policia, dhe rasti është në trajtim”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni për Insajderin.

    Kallëzimi penal në duar e udhëheqësve të BIK-ut në Mitrovicë ka arritur qysh nga data 02.03.2021. Por të njëjtit po refuzojnë të japin përgjigje.

    Gazeta Insajderi, gjatë tërë javës së kaluar ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtarë nga udhëheqës të kësaj bashkësie lidhur me pretendimet e ngritura. Telefonin nuk e ka hapur kryetari, Enis Rama as sekretari, Izet Feka por vetëm kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Rexhep Lushta.

    Me tone të larta të zërit kryeimami kërkoi nga gazeta të mos telefonohet më këtë temë. Madje kërkoi të mos citohet fare, por për korrektësi të publikut më poshtë gjeni përgjigjen e tij.

    “Për këto gjëra mos me telefono mua fare, fol me ata që ti kanë dhënë këto informacione. S’du as me citu as asgjë”, tha kryeimami, Rexhep Lushta për Insajderin.

    Ndonëse udhëheqësit e Bashkësisë Islame në Mitrovicë kanë refuzuar të flasin, Gazeta Insajderi ka siguruar kallëzimin penal të Policisë drejtuar udhëheqëseve të Bashkësisë Islame në komunën e Mitrovicës.

    Kërkohen një sërë dokumentesh.

    Policia nën autorizimin e prokurorisë ka kërkuar nga Bashkësia Islame në Mitrovicë që ti sigurojë: Projektin e xhamisë në fshatin Bajgorë, kur ka filluar ndërtimi i xhamisë, sa ka qenë kostoja për ndërtimin e xhamisë, kush janë donatorët, sa para janë mbledhur gjerë tani, sa mjete janë shpenzuar gjerë tani, kush kanë qenë operatorët e ndërtimit dhe sa kanë qenë mjetet që janë derdhur tek operatorët si dhe kërkohet të dihet nëse kanë përfunduar punimet.

    Sipas policisë ekziston dyshimi i arsyeshëm se persona me përgjegjësi në Bashkësinë Islame në Mitrovicë kanë keqpërdorur fondet.

    Edhe banorët e fshatit kishin shprehur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me ndërtimin e kësaj xhamie. Në vitin 2020, banorët e Bajgorës shqetësimet e tyre i shprehën përmes një letre drejtuar një medias lokale atje.

    Në këtë letër shprehej pakënaqësia e tyre derisa hidheshin dyshime edhe për mënyrën se si xhamia kishte nisur të ndërtohej.

    “Xhamia mund të rrëzohet ende pa përfunduar”, thuhej në letër.

    Sipas banorëve, xhamia rrezikon të rrëzohet në të gjitha anët për shkak të punimeve të dobëta, e sidomos kupola është e plasaritur.

    Banorët akuzojnë se paratë për këtë xhami janë dhënë disa herë, por nuk dihet ku janë.

    Reagimi i plotë i banorëve të Bajgorës në Mitrovicë:

    Xhemati i Xhamisë në Fshatin Bajgorë në Mitrovicë ka nënshkruar peticion së bashku me Imamin e xhamisë për ndërprerjen e ndërtimit të Minares së Xhamisë sepse xhamia e cila edhe pse është ndërtuar e re është duke u rrëzuar për shkak se është ndërtuar e dobët dhe se kupola është plasaritur, parat për ndërtim të xhamisë komplet prej A deri ne ZH janë dhënë tri herë, 60 mijë euro nga konto e BIK në Mitrovicë nga ish-kryetari i BIK, Burim Veliu në konton private të ish Kryetarit të BIK në Mitrovicë, Jetish Berisha (i cili ishte kryetar i BIK para Burim Veliut) në firmën e tij “12 Vëllezërit” në vitin 2016 por deri tani xhamia ka mbetë pa u përfundu, minarja nuk është ndërtuar asnjëherë.

    Tani ka filluar ndërtimi por xhemati me imamin kanë nënshkruar peticion, pastaj një donacion për ndërtimin e kësaj xhamie u dhanë nga DIYANETI i Turqisë edhe parat e këtij donacioni janë lëshuar në konton private të Jetish Berishës ish-kryetar i BIK Mitrovicë por prapë xhamia nuk është ndërtuar, pastaj edhe një donacion arab dhe prapë xhamia nuk është ndërtuar që nga viti 2016 kur janë derdhur donacionet dhe parat në kontot e ish Kryetarit të BIK Jetish Berisha dhe firmës së tij “12 Vëllezërit”, ndërsa këto dite kinse ka filluar ndërtimi i Minares sepse kryetarit të tanishëm Enis Rama i është thënë se duhet përfundu të gjitha ndërtimet që nuk janë ndërtu nga viti 2016 kur janë marrë parat në mënyrë që të mbyllën hetimet e Arkës së BIK në Mitrovicë dhe çdo gjë të mbetët e pastër, por banoret kanë bërë peticion dhe disa nga banoret edhe kanë dhënë deklarata në Polici në Mitrovicë.

    Derisa ndërtimi i xhamisë në fshatin Bajgorë të marrë një epilog, banorët po detyrohen që ritet fetare t’i kryejnë ku të kenë mundësi.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark