Familja e ish-kryetarit të Junikut, Agron Kuçi, ka përfituar mijëra euro subvencione për një pemishte mbi 11 hektarësh, pavarësisht se pjesë e tokës ishte djegur në vitin 2022 dhe mirëmbajtja e saj është minimale.
vëllai dhe gruaja e Kuçit, kanë përfituar nga viti në vit subvencione nga Ministria e Bujqësisë.
Në vitin 2022 kur ka ndodhur djegia e pemëve, Mërgim Kuçi dhe Leonita Kuçi kanë përfituar gjithsej 5 mijë euro, apo nga mbi 2 mijë e 500 euro secili.
Të njëjtën shumë si subvencion e kanë përfituar edhe në vitet 2023 dhe 2024.
Të dy kanë të regjistruara biznese të ndara, me nga dy punëtorë, derisa ai Mërgim Kuçit, si numër kontakti ka lënë atë të ish-kryetarit Kuçi.
Ish-kryetari Kuçi mohon të ketë marrë subvencione për pjesën e djegur: E kem bashkë me vëllezër atë tokë, akoma nuk e kemi ndarë. Kemi apliku, i kemi pas marrë ato grante, kemi pas mjellë molla, i kemi marrë ato subvencione…diçka tjetër, s’di ç’ka me iu thanë juve. Jo, i kanë rrëzu subvencionet. Jo, për pjesën e djegur nuk i kemi marrë, e kanë rrëzu.
Në mesin e granteve ishte edhe një subvencion prej 160 mijë eurosh në vitin 2020 për ndërtimin e një pendese ujitëse, e cila aktualisht është jofunksionale.
Kuçi tha: Digën e kemi rregullu, e kemi punu. Po, ka përfundu diga krejt, po sivjet s’kemi punu as me digën se e prishi (reshjet) gjithçka e prishi, shkruan Dukagjini.
Pavarësisht subvencioneve të marra, Kuçi nuk ka dhënë dëshmi të prodhimit nga këto toka, duke thënë se prodhimet janë shitur në treg. Familjarët e tij kishin përfituar edhe rreth 133 mijë euro në vitin 2016 për ngritjen e pemishtes.