×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Milan Kundera: “Romani”

    Insajderi
    27 October 2023 - 16:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Romani është bërë problem i jetës sime.

    Ajo që në mënyrën më intime më lidh me aventurën e madhe të romanit, është lëvizja e pandërprerë që gjendet në implikimin e subjektivizmit të vet në objektivitetin enigmatik të botës që na rrethon.

    Romani është hulumtim këmbëngulës që të kuptohet ai tjetri dhe ky konceptim na ndihmon që të njohin vetveten. Romani nuk mund të të shpjerë vetëm në një përgjigje, por përpiqet t’i arrijë të gjitha të vërtetat, gjithçka është e njohur, në mënyrë që prej tyre të stiset problemi.

    Ai rrëmben të gjitha përgjigjet, në mënyrë që ato t’i shndërrojë në çështje. Pra, të shkruash një roman do të thotë të formulosh një pyetje. Ndërkohë, të krijosh heroin do të thotë të jetosh me dikë tjetër, të dalësh jashtë vetes, të jetosh me heronj që mendojnë ndryshe, të përfshish e të vësh përballë mendime të ndryshme, ky është kuptimi i romanit. Ai është shkollë e madhe e tolerancës.

    Fryma e romanit nuk është ndonjë predikim i së vërtetës, por një ripërcaktim i pandërprerë i njeriut si problem. Papërcaktueshmëria, kuptimi i shumëfishtë, përbëjnë atmosferën që i duhet romanit. Realitetit i duhet dhënë dimension empirik, për ta bërë sa më real. Ky është konceptimi i trashëgimit estetik nga Kafka. Pra, duhet krijuar një botë autonome, ku ndeshja e së besueshmes me të pabesueshmen është plotësisht e natyrshme. “Jeta është diku tjetër”, para së gjithash, është përplasje e reales me irrealen dhe zgjidhja e saj. Bertlefi dhe Skreta e kapërcejnë realitetin empirik.

    Përshkrimi i një jete do të thotë zgjerim i mundësive tuaja, i aftësisë suaj krijuese dhe i formulimit të pyetjes: ç’është njeriu, çfarë mund të krijojë e të realizojë ai? Romani duhet ta paraqesë jetën më komplekse nga ç’e shohim ne. Në të vërtetë ai e paraqet kompleksitetin e gjërave e të njerëzve. /Hejza/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark