×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Miliona euro, dokumente, vetura, armë e telefona” – gjithçka që u sekuestrua gjatë aksionit “Brezovica”

    Insajderi
    23 January 2022 - 21:13

    Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku ka deklaruar se ky aksion është njëri ndër aksionet më të mëdha që janë realizuar në Kosovë. Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuza ndaj 11 personave. Për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” e “degradim i mjedisit”.

    Para mediave së bashku me kryeprokurorin, Shkuri Jashari e shefin e krimeve të rënda, Agron Haziri, prokurori Rasim Maloku ka folur dy herë. Më 21 dhjetor të vitit të kaluar dhe me 6 janar.

    Në aksionin e parë u arrestuan 10 persona.

    “Sot me datën 21.12.2021 Policia e Kosovës në koordinim në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë themelore në Ferizaj kemi realizuar operacionin për kontrollin dhe arrestimin e personave të dyshuar. Operacioni ka rezultuar me 10 persona të arrestuar dhe 12 lokacione të kontrolluara, 8 personat nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt ndërsa 2 persona janë nga rajoni i Prishtinës”, konfirmoi shefi i krimeve të rënda, Agron Haziri.

    Haziri tregoi për krejt çka u sekuestrua.

    “Gjatë operacionit dhe kontrollit do të thotë janë sekuestruar prova dhe dëshmi materiale si në vijim, para të gatshme në vlerë prej 61 mijë e 470 euro, monedha në vlera të ndryshme si denarë maqedonas, dollarë, lekë shqiptarë, dinarë të Serbisë dhe franga zvicerane. Është sekuestruar një pushkë ajrore, katër pistoleta, dy pushkë gjuetie, 531 fishekë të kalibrave të ndryshe, tre karikatorë, dy gëzhoja, një palë pranga, 21 thika, tetë vetura të ndryshme në vlerë prej rreth 300 mijë euro, 13 telefona, nëntë laptop, pesë USB dhe katër hard diska, fletore dhe dokumente të ndryshme, 60 negativë të aparatit telefonik, si dhe janë sekuestruar aparate për prodhimin e kriptovalutave të cilat Dogana e Kosovës i ka sekuestruar”, tha ai.

    E prokurori, Rasim Maloku dha detaje më të hollësishme foli me emra të përveçëm.

    “Edhe pse jemi në fazën e hetimeve megjithatë dyshimet konsistojnë në vlera që kalojnë milionëshin vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milion euro, dyshohet që janë disa villa që janë përfitu si dhurata, vetura që janë dhënë si dhurata për lëshimin e lejeve… Është e vërtetë që dyshohet se ka vilat që janë fare pa leje, por shumica e vikend-shtëpizave që quhen janë të ndërtuara në kundërshtim me ligjet që e rregullojnë ndërtimin në parkun kombëtar Sharri, në këtë kontekst edhe në zonën e Brezovicës… Ushtrimi i ndikimit është që disa zyrtarë kanë marrë dhurata para për të ushtruar ndikim tek zyrtarët që kanë lëshuar leje për këto vikend-shtëpiza në zonën e Brezovicës”, tha ai raporton InDoks.

    Prokurori Rasim Maloku e mbajti fjalën e dhënë në fund të vitit 2021. Ai e vazhdoi operacionin ‘Brezovica’ edhe në vitin 2022. Foli edhe për ngrirje të miliona eurove pasuri të të dyshuarve.

    “Gjatë kontrollit janë konfiskuar disa prova materiale, vetura, armë… por ajo çka është më e rëndësishme gjatë zhvillimeve të hetimeve brenda kësaj periudhe prej 21 dhjetorit e ditën e sotme, nga të dhënat financiare që i kemi siguruar nga bankat që i posedojnë këta të pandehur dhe familjarët e tyre, deri tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve, kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve të tyre që dyshohet se janë mjete të përfituara si dobi pasurore nga veprat penale”, ka thënë prokurori Maloku para gazetarëve përcjell InDoks, prodhim i Gazetës Insajderi.

    Në fillim të këtij viti operacioni u bart në Prishtinë. U bastisën zyra të Qeverisë më konkretisht të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë. U arrestuan punonjës të saj.

    Ndër ta u arrestua edhe ish-Kryeinspektori në Ministrinë e Mjedisit, Bedri Halimi. Ai ishte gjykuar edhe një rast të ngjashëm, për ndërtime të egra në Prevallë, por në fund ishte shpallur i pafajshëm. Ani pse u arrestua me bujë, dhe po mbahet në paraburgim, në publik ka pasur shumë reagime duke e mbrojtur të njëjtin.

    Njëjtë nuk po ndodh edhe me ish-Sekretarin Permanent të Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku.

    Arrestimi i tij për rastin ‘Brezovica’ u bë nën dyshimin se edhe ai ka marrë ryshfet, sipas publikimeve që janë bërë deri tash.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se nga fillimi i vitit 2012 deri në fund të vitit 2019, si person zyrtar – sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë, në mënyrë të tërthortë përmes një zyrtar të MMPH ka pranuar para me qëllim që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që nga zyrtari i përmendur .. pranuar para në shuma prej 10.000 deri 15.000 euro”, thuhet në kërkesën për paraburgim për të.

    Ai po dyshohet se në Brezovicë ka lëshuar pëlqim mjedisor për ndërtimin e Kompleksit prej 11 vilave për ndërmarrjen “Arena Sport” Shpk me personin përgjegjës Rijad Hasani, pëlqimin mjedisor për objektin hotelier “Kaona Hotel” Shpk, me personin përgjegjës Sanije Geci për ndërtimin e urës mbi Lumin “Murrzhica”, pëlqimin Ujor për ndërmarrjen “Stella Consulting” me personin përgjegjës Gentian Sula, pëlqimin ujor për personin Blerim Imeri për ndërtimin e urës mbi Lumin “Murrzhica” të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në Parkun Kombëtar “Sharr”.

    Për Çitakun detaje më të hollësishme dha vet prokurori në konferencë.

    “Sa i përket ish-sekretarit, Arben Çitaku ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit është e vërtetë që ka të bëjë me lëshimin e lejeve ujore, pëlqimeve mjedisore dhe disa veprime që tani për tani nuk mund ti bëjmë të gjitha publike, po dyshohet edhe për marrje të ryshfetit kurse personat që janë në kërkim, tani nuk mund ti japim emrat e tyre për shkak që mund të rrezikohet hetimi, disa kanë premtu që do të vinë mirëpo nuk kanë ardhë kështu që kemi ndërmarrë veprimet hetimore në kuadër të kompentencave që të sigurohet prezenca e tyre…jo janë investitor, kanë qenë objekt hetimi edhe disa serbë  për momentin njëri prej tyre është i shtrirë në spital, njëri është në Serbi për arsye të ndryshme dhe dy që kanë qenë të dyshuara i kemi lënë në procedurë  të rregulltë”.

    Ky prokuror ka paralajmëruar se dokumentet e provat tjera që kanë kapur në operacion, mund ta zgjerojnë hetimin edhe shumë më shumë

    “Rezultatet të hetimeve nga 21 dhjetori 2021 tani janë këto ngrirjet e pasurive, jemi në proces të identifikimit të vilave sepse ne i dimë vila si objekte fizike mirëpo do të identifikohen në posedues faktik dhe juridik, siç jemi tek ne tjetër kush e posedon, tjetër kush është me letra sepse janë një numër bukur i madh i vikend shtëpizave edhe i hoteleve në ndërtim dhe kemi prit edhe këtë aksionin e sotëm që me i përfshi me një urdhër për ngrirjen e tyre”, ka deklaruar ai.

    “Është e vërtetë që janë konfisku një numër i dokumentacioneve që kanë të bëjnë me pëlqime ujore, leje ujore, leje mjedisore vendime të ndryshme që janë dhënë…”. deklaroi prokurori para gazetarëve përcjell InDoks.

    Ndërkohë për operacionin foli shefi i hetimeve të krimeve të rënda. Ai shtoi se ka persona që ende janë duke u kërku.

    “Operacioni ka rezultuar me katër persona të arrestuar, prej tyre njëri është liruar ndërsa tre të tjerë janë në ndalim prej 48 orësh. Ndërkaq, pesë të tjerë janë në kërkim policor subjekt i këtij hetimi dyshohet se kanë kryer veprat penale siç e ceku edhe prokurori por kemi edhe pengim të provuarit dhe frikësim gjatë procedurës penale”, u shpreh Agron Haziri.

    Kapiteni Haziri përmendi që për miliona euro që tanimë i kanë ngrirë, gjatë aksionit në mesin e shumë provave kanë konfiskuar edhe një USB  ëe një uniformë të sistemit jugosllav.

    “Gjatë hetimeve intensive që kemi zhvilluar me Njësinë e Inteligjencës Financiare në xhirollogaritë bankare të personave të dyshuar kemi identifikuar vlerën monetare pre 5 milion e 389 mijë euro dhe 86 mijë e 146 dollarë amerikan gjatë kontrollit të sotëm janë konfiskuar dëshmi dhe prova materiale si në vijim: një veturë BMË x1, armë CXE armë tjetër zastava 163 fishekë një kuti me armë, një karakator i zbrazët, një shtëpizë kompjuteri, telefon mobil, usb, 5 video kaseta, uniformë me mbishkrim policia e ish sistemit jugosllav ose serb, një anti-plumb dhe dokumente të ndryshme”, tha Haizri.

    Ndërkohë, Prokurori Maloku paralajmëroi që aksioni në Brezovicë do të vazhdojë.

    “Prapë ju them që nuk është aksioni i fundit, ky proces do të vazhdojë ditët e ardhshme dhe do të njoftoheni me kohë”.

    Dokumentari i plotë: InDoks | Elita e ryshfetit

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    29 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark