Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian kanë miratuar një varg masash për ta luftuar shmangien nga tatimet, pas skandalit të “Letrave të Panamasë”, i cili tregoi se si të pasurit u shmangen obligimeve për pagimin e taksave, duke përdorur llogari jashtë vendit.
Ministri i Financave i Holandës, Jeroen Dijsselbloem, vend ky që e mban rotacionin e presidencës së BE-së deri në korrik, tha se ekziston një “sens i urgjencës” për t’i bërë këto ndryshime.
Në mesin e këtyre masave, BE propozon një listë të përbashkët, në të cilën do të viheshin juridiksionet që përdoren nga individët dhe kompanitë evropiane për të shmangur ose minimizuar taksat.
Kjo gjë do të mund të ishte problematike, meqë vendet e BE-së veçse kanë lista individuale, bazuar në kritere të ndryshme.
Ministrat gjithashtu përkrahën një propozim të disa vendeve të BE-së që automatikisht të këmbëjnë të dhënat, në mënyrë që të ekspozohen pronarët e vërtetë të kompanive në fjalë.
Vendet anëtare të BE-së do t’i nisin javën e ardhshme bisedimet lidhur me rregullat e reja të cilat do të kërkonin nga kompanitë e mëdha që funksionojnë në Evropë që t’i bëjnë publike fitimet e tyre në çdo vend anëtar të bllokut.