×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ministri Peci zbulon Brezovicën e dytë: 25 villa në këtë zonë turistike janë ndërtuar kundërligjshëm

    Insajderi
    11 October 2022 - 11:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    25 villa në Stankaj të Pejës janë identifikuar dhe denoncuar nga Ministri i Bujqësisë, Faton Peci të ndërtuara kundërligjshëm në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës. Ai ka ftuar prokurorinë e shtetit që të merret me këtë rast tejet abuziv sipas tij

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka denoncuar sot keqpërdorimet rreth pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

    Ai përmes një statusi në Facebook, flet për dy raste të mëdha që sipas tij janë shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori, shkruan Insajderi.

    Rasti tejet abuziv sipas Pecit, e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilava, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

    Peci ka paralajmëruar se ditëve të ardhshme do të marrin të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që sipas tij do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë së këtyre aseteve “dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës”.

    “Në gjithë këtë katrahurë është i pashpjegueshëm mos-veprimi në radhë të parë i Ministrisë së Bujqësisë për një dekadë, mungesa e vullnetit të Ministrave të kaluar për ta çuar më tutje këtë çështje, inspektorëve të ndërtimit në nivel të komunave në këtë rast në komunën e Prishtinës dhe Pejës të cilët nuk kanë marrë parasysh as elementet bazike siç janë:”

    “E drejta pronësore dhe juridike. Mënyra se si janë pajisur me leje ndërtimi, renovimi, anekse të ndërtimit (nëse i posedojnë) pa aprovimin e titullarit të pronës? Si është mundësuar ndërtimi i vrazhdë, ndërtimi i anekseve pa aprovimin dhe posedimin e çertifikatës së pronësisë, kopjes së planit të projektit që duhet dorëzuar në drejtoritë e urbanizmit nga titullari i pronës?”, pyet ministri Peci.

    Ministri Peci për këto veprime të kundërligjshme sipas tij, ka ftuar  Prokurorinë e Shtetit “që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark