Sot rreth orës 18:00 para Klinikës së Gjinekologjisë ka ndodhur një vrasje makabre. Dyshohet se ish-burri ka vrarë gruan e tij shtatzënë.
Gazeta Insajderi mëson nga burimet e sigurta se 35 vjeçarja që u vra nga ish-bashkëshorti i saj është Hamide Magashi, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit.
Magashi nuk kishte pasur një jetë të qetë bashkëshortore ku edhe ishte detyruar të ndahet nga burri i saj.
Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, në Radio Dukagjini, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.
Bala, tha se institucionet e sigurisë duhet ta shtojnë përgjegjshmërinë, dhe viktimave të dhunës t’u jepet përkrahja e plotë.
Ajo theksoi, se lufta ndaj fenomenit të dhunës duhet të jetë e gjithë shoqërisë dhe të mos reduktohet vetëm në institucione.