×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Ministria e Sveçlës e “pastron” listën e kandidatëve për drejtor të SHSKUK’së, shtohen dyshimet për kurdisje konkursi  

    Insajderi
    18 May 2023 - 13:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka mbetur pa drejtor që nga viti i kaluar. Valbon Krasniqi kishte dhënë dorëheqje në gusht të 2022’ës. Një konkurs i cili është hapur për këtë pozitë, po dyshohet të jetë i kurdisur nga pushteti. Kjo pasi njëri prej kandidatëve del të jetë i lidhur me ministrinë e Shëndetësisë. Ai është Elvir Azizi. Ndërkohë, Basri Sejdiu i cili ishte pjesë e listës së ngushtë, u largua vetëm një ditë pas publikimit të saj. Gazeta Insajderi iu sjellë detajet në vazhdim.

    Më 15 maj u publikua lista e ngushtë e kandidatëve për të parin e SHSKUK’së, pjesë e së cilës ishte edhe Basri Sejdiu. Emri i tij u fshi nga kjo listë një ditë më pas.

    Pavarësisht se zyra e burimeve njerëzore në SHSKUK’së vlerësoi se Basri Sejdiu i plotëson të gjitha kushtet për kandidat për postin e drejtorit në këtë institucion, ishte Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që tha fjalën e fundit. MPB kundërshtoi aplikimin e z.Sejdiu duke propozuar largimin e tij nga lista e ngushtë.

    Këtë e konfirmoi për Gazetën Insajderi edhe avokati i Sejdiut, Florim Shefqeti. I njëjti dyshon se ky konkurs mund të jetë i kurdisur për të përzgjedhur për postin e drejtorit një kandidat tjetër të afërt me partinë në pushtet.



    Shefqeti tha se z.Sejdiu i ka plotësuar të gjitha kushtet për pozitën e drejtorit, duke shtuar se këtë gjë e kanë konfirmuar dhe zyra për burime njerëzore në SHSKUK dhe Ambasada Britanike.

    “Një kandidat tjetër ka dalë të jetë i përfolur si i preferuari. Ne po dyshojmë se z.Sejdiu është larguar nga gara për me eleminu nga pamundësia e kandidimit. Edhe pse zyra e burimeve njerëzore kur e ka pa që z.Sejdiu është në listë nuk ka pasë alternativë tjetër për me hekë prej liste dhe kanë kërkuar një opinion nga Ministria e Punëve të Brendshme, por që asnjëherë opinioni nuk mund të jetë mbi ligjin dhe opinioni që është dhanë është në kundërshtim me ligjin dhe ne mendojmë të paraqesim kallëzim penal. Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ambasada Britanike pasi që ka pa rregullim ligjor ka vlerësu se z.Sejdiu nuk ka ndalesë ligjore për me apliku”, tha Shefqeti për Insajderin.


    Tutje, avokati i z.Sejdiu paralajmëroi se do të dorëzoj padi, e nëse është e nevojshme edhe kallëzim penal varësisht nga vendimi përfundimtar që pritet të merret në ditët në vazhdim.

    “Ne kemi kërku prej zyrës së burimeve njerëzore me na njoftu për vendimin, në bazë të cilit do të paraqesim padi me masë të përkohshme ose kallëzim penal. Ne kemi bërë kërkesë për qasje në dokumente publike pas së cilës po presim me na u dhënë qasja edhe me pa qysh tek jena”, u shpreh ai.

    Por, kush është kandidati i cili po përflitet si i preferuar për të marrë postin e drejtorit të SHSKUK’së?

    Gazeta Insajderi pak ditë më parë ka raportuar se njëri nga kandidatët për postin e drejtorit të SHSKUK’së, Elvir Azizi po shihet si më pretendenti për të marrë kreun e këtij institucioni. Kjo pasi që Azizi del të jetë i lidhur ngushtë me ministrinë e Shëndetësisë. Ai për një kohë të gjatë ka qenë këshilltar në ministrinë e udhëhequr nga Arben Vitia.

    Derisa dorëheqja e tij pak para hapjes së konkursit nga pozita që mbante nxiti edhe më shumë dyshime për kurdisje të mundshme të konkursit.

    Elvir Azizi ishte i angazhuar si ekspert i fushës së Farmacisë përmes një marrëveshje që kishte lidhur Banka Botërore me Ministrinë e Shëndetësisë që udhëhiqet nga Arben Vitia.

    Nga të dhënurit ekspertiza për ministrinë e Vitisë ka dhënë dorëheqje në momentin kur ka parë konkursin për të parin e SHSKUK-së. Këtë e konfirmoi edhe vet Azizi në përgjigje për Insajderin.

    “Jo, jo kam dhënë dorëheqje, para se me apliku për konkurs”, teksa shtoi se nuk i kujtohet saktë data se kur ka dhënë dorëheqje.

    Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se “Zoti Azizi është angazhuar si Ekspert i fushës së farmacisë përmes njësisë koordinuese të Bankës Botërorë, me qëllim të zbatimit të marrëveshjes me Bankën”, por nuk kanë kthyer përgjigje për pjesën e kryerjes së pagesës.

    I pyetur se nga kush i është ekzekutuar pagesa, Azizi ka thënë se nuk e di saktë, sipas tij mund të jetë kryer edhe nga MSH.

    Drejtën më të thënë nuk e kam këqyrë marrëveshja është mes Bankës Botërore, unë nuk e di qysh saktësisht kanë shkuar procedurat, por ajo është transparente ka qenë një proces i aplikimit në Bankën Botërore, aty kanë aplikuar jam përzgjedh si ekspert, kam kryer punën time dhe aq”, ka thënë ai për Insajderin.

     Ai ka thënë se se sa ka shërbyer si ekspert, mohon të ketë pasur raport direkt me ministrin Vitia.

    “Me ministrin nuk kam pasur punë, veç me pjesën administrative. Me ministrin njihemi, sikur këta të Prishtinës me njëri-tjetrin”, tha kandidati për drejtor të SHSKUK-së për Insajderin. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark