Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm dhe e ka shfuqizuar paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) Nr. 05/2023 për Procedurat e Kundërvajtjes, i cili përcaktonte se patentë-shoferi mund t’i kthehej palës vetëm pas përfundimit të masës mbrojtëse për ndalimin e drejtimit të automjetit.
Vendimi është marrë pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, me të cilën është kërkuar shfuqizimi i pjesshëm i këtij akti nënligjor.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit janë dy institute të ndryshme juridike dhe nuk duhet të ngatërrohen gjatë zbatimit të tyre.
Duke iu referuar nenit 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, Gjykata ka konstatuar se policia nuk mund ta mbajë përkohësisht patentë-shoferin për më shumë se tetë ditë.
Për këtë arsye, Gjykata e ka vlerësuar në kundërshtim me ligjin dispozitën që kushtëzonte kthimin e dokumentit me përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj.
Sipas arsyetimit të Gjykatës, një akt nënligjor nuk mund t’i zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë pa bazë ligjore.
Ndërkaq, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të këtij udhëzimi administrativ.
Këto dy dispozita janë vlerësuar si procedurale dhe organizative, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e patentë-shoferit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të tij.