×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ministria në hetime, akuza për shuarje të Këshillit Shqiptaro-Amerikan- dy miqtë e Qeverisë Kurti që po kushtojnë më shumë se 147 mijë euro

    Insajderi
    20 July 2023 - 11:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy kompani (Afërdita Rakipi Communications dhe Ambal) që figurojnë në emër të Afërdita Rakipit dhe Avni Mustafajt – personalitete të afërta me njerëz të pushtetit – u kontraktuan nga Qeveria Kurti me 147 mijë euro për një vit për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky kontraktim pushtetit i “kushtoi” më shtrenjtë se kaq. Aktualisht, task-forca hetimore për një kontratë tjetër nga GERMIN-i ka në “llupë” Gërvallën dhe Gashin për shkak të kësaj kontrate. Mustafaj, i cili është bashkëdrejtues i organizatës jo-qeveritare “Germin” (organizatë kjo që u bashkë-themelua me zëvendësministren e MPJD-së, Liza Gashi) po akuzohet për shuarje të Këshillit Shqiptaro-Amerikan, ndërkaq Rakipi është parë në mbështetje të kryeministrit Albin Kurti në aktivitetet e saj në rrjete sociale.

    Gazeta Insajderi

    Përgjatë ditës së djeshme, Radio Evropa e Lirë raportoi se dy kompanitë në fjalë të dy personave të afërm me pushtetin nuk kanë pasur asnjë marrëveshje lobimi të regjistruar më parë në ueb-faqen e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) të Departamentit amerikan të Shtetit.

    Në deklarimet e tyre, pronarët e dy kompanive, Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj, thonë se janë të angazhuar me orar të pjesshëm në detyrën e tyre për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”.

    Bazuar në kontratat e nënshkruara më 26 qershor dhe të vlefshme për një vit, Rakipi dhe Mustafaj do të paguhen nga 147 mijë euro nga MPJD-ja për aktivitetet e tyre.

    Rakipi dhe Mustafaj kanë një lloj afërsie me figura të pushtetit dhe duket se njihen përpara se LVV-ja të sigurojë mandatin qeveritare.

    Rakipi nëpër rrjetet sociale ka shpërndarë disa postime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në ‘Twitter’-in e saj. Megjithatë, “lobimi” i saj nuk ka mbaruar me kaq; ajo ka shfaqur pëlqim edhe për postime që kritikojnë qasja e SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

    “Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane”, thuhet në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.

    Qëndrim kundër ndërkombëtarëve ka mbajtur edhe Mustafaj. Këtë të fundit, i cili në një përshkrim të biografisë së GERMIN-it figuron si anëtar i bordit në Samitin e Rambujesë së 1999-ës dhe kryetar i Këshillit Shqiptaro-amerikan, deputeti Haki Abazi po e kritikon për shuarje të kësaj të fundit.

    “Se kjo qeveri nuk e ka as idenë se çfarë po bën, tregon edhe kontrata për lobim në SHBA. Sipas informacionit, kompania e angazhuar nga qeveria e Kosovës për lobim në SHBA, para së gjithash përfaqësuesi e ka shuar Këshillin Shqiptaro Amerikan për shkak të keqmenagjimit të fondeve duke humbur statusin “earmarked funding” nga qeveria amerikane. Si pasojë sot nuk ekziston Këshilli Shqiptaro Amerikan!”, ka shkruar ai.

    “E dyta, përfaqësuesi ka qenë kundërshtari më i madh i çdo ndryshimi politik në Kosovë. Në mënyrë aktive dhe madje shumë joprofesionale duke keqinformuar dhe manipuluar me informacion kundër të gjithë atyre që kanë pasë qëndrim e angazhim kundër grupeve të korrruptuara dhe të kriminalizuara, për këte është ballafaquar drejtpërsëdrejti”.

    Mustafaj deri dikur pronarllëkun e GERMIN-it e ndante me Liza Gashin, zëvendësministren aktuale të MPJD-së. Megjithatë, as Gashi e as Gërvalla duket se nuk kanë arritur të ndahen krejtësisht nga kjo OJQ. Për të, ata po hetohen nga task-forca e Policisë së Kosovës për një kontratë.

    Siç raportoi Betimi për Drejtësi përpara pesë ditësh, të dy udhëheqëset e diplomacisë kosovare dyshohen për dhënien e 1 milion e 40 mijë eurove për “Caritasin Zviceran”, ku kjo e fundit, ka angazhuar për kryerjen e shërbimeve OJQ-në Germin, në të cilën Liza kishte qenë drejtoresh para se të bëhej zëvendësministre. Deri tash i janë paguar “Caritasit 344 mijë euro. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark