×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ministrja e Arsimit e lë përfundimisht pa çerdhe komunën e udhëhequr nga LDK

    Insajderi
    29 September 2022 - 18:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komuna e Vitisë, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka mbetur përfundimisht pa çerdhe. Kështu konfirmon njoftimi i djeshëm i Arbërie Nagavcit, ndonëse ajo fillimisht kishte zbuluar se edhe në këtë pjesë të Anamoravës do të ndërtohej institucioni për edukimin e të vegjëlve, i cili më pas është zhvendosur në Kamenicën e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka lënë pa çerdhe komunën e Vitisë, të udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “E lumtur që në kuadër të përmbushjes së zotimit tonë, sot nënshkruam kontratat për ndërtimin e 5 çerdheve të reja. Këto objekte do të ndërtohen në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Kamenicë dhe Doberçan të Gjilanit. Ndërtimi i këtyre objekteve pritet të fillojë javën e ardhshme”, ka shkruar dje Nagavci në profilin e saj në Facebook, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ajo ka njoftuar se edhe katër objekte tjera si në Banjë të Malishevës, në Korenicë të Gjakovës, në Muzeqinë të Shtimës si dhe në Babush të Ferizajt janë në procedurë të tenderimit për t’u shndërruar në çerdhe.

    Që i bie se përfundimisht të vegjlit vitias do të mbesin pa çerdhe në komunën e tyre, ndonëse ajo ishte planifikuar të ndërtohej bashkë me atë të Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës…

    Së paku kështu kishte njoftuar e para e Arsimit në maj, kur e kishte bërë njoftimin për ndërtimin e çerdheve nëpër Kosovë.

    “Gjashtë çerdhe të reja në komunat Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Viti, Deçan, Gjakovë. Me qëllim të realizimit të prioritetit qeveritar për zgjerimin e infrastrukturës për edukimin parashkollor, Ministria e Arsimit konform legjislacionit në fuqi, ka hapur tenderin me datë 23 maj 2022 për ndërtimin e gjashtë çerdheve, me projekte tipike me dizajn të njëjtë sipas normave dhe standardeve për këtë nivel”, kishte shkruar Nagavci në profilin e saj në Facebook, më 27 maj, transmeton Gazeta Insajderi.

    Por, vetëm pak kohë më pas, plani për ndërtimin e çerdhes në Viti ndërroi, ndonëse për objektin ishte ndarë edhe prona komunale, dhe ishin kryer të gjitha procedurat tjera parapake, sikur edhe votimi në asamble.

    Çerdhja që ishte paraparë të ndërtohej në Vitinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dyshohet se është zhvendosur në komunë e Kamenicës që drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje, ashtu siç konfirmon edhe njoftimi i djeshëm i ministres së kësaj partie.

    Nëse ndërrimi i lokacionit të çerdhes që fillimisht ishte paraparë të ndërtohej në Viti, ka ndodhur për arsye politike nuk është konfirmuar, pasi Ministria e Arsimit pati dhënë një sqarim ndryshe për Gazetën Insajderi, kur për këtë çështje pati raportuar ekskluzivisht në korrik.

    “Bazuar në Ligjin e Buxhetit për vitin 2022, ndërtimi i çerdhes në Kamenicë ka kodin e vetë -19059), dhe nuk bëhet fjalë për zëvendësim me atë të Vitisë, sepse ndërtimi i çerdhes në Viti ashtu si edhe i pesë të tjerave, është planifikim i MASHTI në kuadër të një kodi të përbashkët-19008”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

    “Procesi për ndërtimin e Çerdheve në Deçan dhe Viti (të publikuara me 23.05.2022 dhe që nuk janë ri tenderuar) janë në procese të shqyrtimit të mundësive buxhetore për vitin 2022 dhe bazuar në këto shqyrtime, do të procedohen me kohë në zyrën e Prokurimit-MASHTI për ndërtim”, vazhdon tutje përgjigja e MASHT për Gazetën Insajderi.

    Sokol Haliti trego si nisi, dhe më pas u anulua ndërtimi i çerdhes

    Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati treguar për Gazetën Insajderi, se ministria e Arsimit kishte vendosur ta ndërtojë çerdhen në qytetin e tij.

    “Ministria e Arsimit ka vendosur për ndërtimin e çerdhes në Viti, është nda buxheti, është nda lokacioni. Në rundin e parë ka dalë tenderi edhe për Vitinë, më vonë ai është anuluar dhe herën e dytë nuk ka dalë për ne”, pati thënë Haliti.

    I pari i Vitisë pati thënë tutje se vendimi i parë i ministrisë duhet të zbatohet, sepse sipas tij është i ligjshëm, dhe se “nuk kanë të drejt të veprojnë kështu”.

    “Unë shpresoj që ata nuk e bëjnë këtë gabim, edhe pse këtë radh e kanë anshkaluar qëllimsht”.

    “Nuk dëshiroj më besu që kjo është bërë për arsye politike, por diçka atje ka, sekretarja permanente, dhe ministrja duhet ta japin arsyetimin”, ka thënë Haliti për Gazetën Insajderin.

    Ndryshe, javën tjetër do të nisë ndërtimi i çerdheve në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Gjakovë, dhe Kamenicë. Tenderi për ndërtimin e tyre kap vlerën e mbi 400 mijë eurove.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark