×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ministrja Haxhiu komenton kthimin e zyrtarëve të suspenduar në IML: Nuk kam të drejtë të ndërhy

    Insajderi
    20 February 2023 - 17:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni i Ankesave në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore ka vendosur që t’i kthej në punë katër zyrtarët që u suspenduan nga puna pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit. Komisioni në vendimin e tyre ka pretenduar se ka pasur shkelje procedurale në vendimin për suspendim i marrë nga Komisioni Disiplinorë.

    Lidhur me këtë vendim, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk mund të ndërhy në këtë vendim pasi është marrë nga Komisioni i Ankesave brenda Institutit.

    Unë si ministre e Drejtësisë nuk kam të drejt të ndërhy as në punën e komisioneve disiplinore që udhëhiqen nga shërbyesit civil e as tek ai i ankesave që po ashtu udhëhiqet nga shërbyesit civil”, kishte deklaruar Haxhiu në ditën kur bashkëpartiaku i saj, deputeti Haki Abazi kishte deklaruar për publikun se ekzistojnë video-incizimet që dëshmojnë qarte se kush i ka zhdukur mostrat brenda Laboratorit në IML.

    Haxhiu bëri të ditur se Prokuroria nuk ka dyshime mbi katër zyrtarët e suspenduar, për të cilët u vendos që të rikthehen në pozitat e tyre brenda IML’së.

    Komisioni Disiplinor i ka suspenduar nga detyra, drejtori i institutit aktualisht që po e ushtron. Këtë funksion tani ka qenë në komunikim me Prokurorinë nëse ndonjëri prej tyre po dyshohet. Njoftimet kanë qenë se ende nuk kanë të dyshuar. Prandaj sapo të kenë do ta njoftojnë IML. Ajo çka ka ndodhur është se pastaj Komisioni i Ankesave ia ka hequr masën e suspendimit”, deklaroi ministrja Haxhiu.

    Deklarata e Ministres:

    Deklarata e Haki Abazit

    Deputeti i VV-së, Haki Abazi deklaroi se i ka parë video-incizimet që dëshmojnë se kush i ka zhdukur provat nga frigoriferi i laboratorit. Madje, ai kërkoi nga Prokuroria t’i marrë në pyetje.

    “IML-ja është në monitorim me kamera 24 orë. Dhe thash që prokuroria duhet të marr në pyetje Albin Kurtin, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj Bajrami. Rasti i Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Dhe platforma e LVV-së ka qenë që drejtësia duhet të dal në dritë”, deklaroi Abazi.

    Kurti hesht, Haxhiu e luan të painformuarën

    Pas akuzave të rënda të Abazit, ministrja Albulena Haxhiu e luajti të painformuarën. Ajo tha se nuk e di për çfarë e ka fjalën deputeti, Haki Abazi.

    “Nuk e di për çka e ka fjalën deputeti Haki Abazi. Dëshmitari i rastit të jetë deputeti Abazi. Secili që ka dëshmi duhet së pari të shkoj në Prokuroi e ti qoj ato. është e rëndësishme ta njoftoj prokurorin e mos të tentoj të fshihet prapa imunitetitn të tij prej deputeti”, tha Haxhiu.

    E pyetur se a ka video incizime brenda laboratorit, Haxhiu iu rekomandoi gazetarëve që këtë pyetje t’ia drejtonin deputetit, Haki Abazi.

    Ndonëse nuk e foli asnjë fjalë rreth pretendimeve se është në dijeni për zhdukjen e mostrave të Deharit, kryeministri Albin Kurti u shfaqë i nevrikosur në seancën e Kuvendit.

    Gjatë kësaj seance, Kurti i cili nuk po zinte vend, diskutoi me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Diskutimet serioze e me fytyre të ngrysur i vazhdoi edhe me zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

    “Bomba e shpërthyer” nga Abazi e heshti Kurtin. Në asnjë paraqitje para gazetarëve Kurti nuk i përmendi rastin Dehari, e as Dejona Mihalin për të cilën Abazi tha se e kontrollon Vetëvendosjen.

    Akuzat e Abazit – Prokuroria Speciale nis intervistimet

    Kryeprokurori i Porkurorisë Speciale, Blerim Isufaj deklaroi se do t’i intervistojnë të gjithë emrat që Haki Abazi i përfshiu në zhdukjen e mostrave të Deharit.

    Ndërsa nesër, kjo prokurori do ta intervistojë vetë Haki Abazin në cilësinë e dëshmitarit.  

    Këtë e konfirmoi avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi. Ai tha se ka kërkuar të jetë prezent në momentin e intervistimit të Abazit.

    Javën e kaluar Prokuroria Speciale i tha Insajderit se janë kryer intervistime tek një numër i konsiderueshëm i njerëzve.

    “Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje. Duke pasur parasysh se ende jemi në fazën e hetimeve nuk mund të japim informata tjera lidhur më këtë çështje”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.

    Në konferencën kur kishte njoftuar për këtë rast, ministrja Albulena Haxhiu e kishte quajtur këtë akt të rëndë dhe kriminal. Haxhiu kishte treguar edhe se në atë hapësirë të IML’së kishin qasje vetëm tre persona, derisa ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.  /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark