×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Bomba e shpërthyer” nga Abazi hesht Kurtin – Asnjë fjalë për zhdukjen e mostrave të Deharit

    Insajderi
    20 February 2023 - 15:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të enjten që e lamë pas, kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje po e prisnin nën ethe. Kjo për faktin se deputeti i kësaj partie, Haki Abazi paralajmëroi një konferencë. Ai tha se do të fliste për disa video-incizime dhe për “urdhërin e Kurtit” për ta shkarkuar nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Deklaratat e Abazit kundër bashkëpartiakëve të tij trazuan gjithë “kampin e Kurtit”. Ky i fundit duket se ka përjetuar një shok. Ende nuk e ka thënë asnjë fjalë.

    Rasti i vdekjes së ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari është një ndër më të ndjeshmit në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar se me të ardhur në pushtet do ta ndriçonte këtë rast të mistershëm.

    Ndonëse Albulena Haxhiu udhëheq me Ministrinë e Drejtësisë, nuk bëri asgjë në zbardhjen e vdekjes së Deharit. Përkundrazi, në mandatin e saj u vodhën mostrat e Deharit pikërisht në objektin e dikasterit që ajo drejton.

    Se Albulena Haxhiu së bashku me kryeministrin Albin Kurti janë në dijeni se kush i ka vjedhur këto mostra, e tha deputeti Haki Abazi. Përpos tyre, Abazi përmendi edhe Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj-Bajramin.

    Deputeti i VV-së ngjalli dyshime se të lartëpërmendurit i kanë parë video-incizimet që dëshmojnë kush e ka kryer këtë akt. Madje, ai kërkoi nga Prokuroria t’i marrë në pyetje.

    “IML-ja është në monitorim me kamera 24 orë. Dhe thash që prokuroria duhet të marr në pyetje Albin Kurtin, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj Bajrami. Rasti i Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve që kërkojnë drejtësi. Dhe platforma e LVV-së ka qenë që drejtësia duhet të dal në dritë”, deklaroi Abazi.

    Kurti hesht, Haxhiu e luan të painformuarën

    Pas akuzave të rënda të Abazit, ministrja Albulena Haxhiu e luajti të painformuarën. Ajo tha se nuk e di për çfarë e ka fjalën deputeti, Haki Abazi.

    “Nuk e di për çka e ka fjalën deputeti Haki Abazi. Dëshmitari i rastit të jetë deputeti Abazi. Secili që ka dëshmi duhet së pari të shkoj në Prokuroi e ti qoj ato. është e rëndësishme ta njoftoj prokurorin e mos të tentoj të fshihet prapa imunitetitn të tij prej deputeti”, tha Haxhiu.

    E pyetur se a ka video incizime brenda laboratorit, Haxhiu iu rekomandoi gazetarëve që këtë pyetje t’ia drejtonin deputetit, Haki Abazi.

    Ndonëse nuk e foli asnjë fjalë rreth pretendimeve se është në dijeni për zhdukjen e mostrave të Deharit, kryeministri Albin Kurti u shfaqë i nevrikosur në seancën e Kuvendit.

    Gjatë kësaj seance, Kurti i cili nuk po zinte vend, diskutoi me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Diskutimet serioze e me fytyre të ngrysur i vazhdoi edhe me zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

    “Bomba e shpërthyer” nga Abazi e heshti Kurtin. Në asnjë paraqitje para gazetarëve Kurti nuk i përmendi rastin Dehari, e as Dejona Mihalin për të cilën Abazi tha se e kontrollon Vetëvendosjen.

    Akuzat e Abazit – Prokuroria Speciale nis intervistimet

    Kryeprokurori i Porkurorisë Speciale, Blerim Isufaj deklaroi se do t’i intervistojnë të gjithë emrat që Haki Abazi i përfshiu në zhdukjen e mostrave të Deharit.

    Ndërsa nesër, kjo prokurori do ta intervistojë vetë Haki Abazin në cilësinë e dëshmitarit.  

    Këtë e konfirmoi avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi. Ai tha se ka kërkuar të jetë prezent në momentin e intervistimit të Abazit.

    Javën e kaluar Prokuroria Speciale i tha Insajderit se janë kryer intervistime tek një numër i konsiderueshëm i njerëzve.

    “Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje. Duke pasur parasysh se ende jemi në fazën e hetimeve nuk mund të japim informata tjera lidhur më këtë çështje”, deklaroi zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.

    Në konferencën kur kishte njoftuar për këtë rast, ministrja Albulena Haxhiu e kishte quajtur këtë akt të rëndë dhe kriminal. Haxhiu kishte treguar edhe se në atë hapësirë të IML’së kishin qasje vetëm tre persona, derisa ishte zotuar se autorët që kanë zhdukur mostrat nga laboratori i IML-së, do të gjinden dhe se rasti do të zbardhet.  /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark