×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ministrja që thirr për kursim të energjisë – nuk kallëzon me çka ngrohet, dhe as sa rrymë shpenzon

    Insajderi
    18 December 2021 - 12:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një Kosovë e mori vesh se shefi i qeverisë së shtetit, Albin Kurti, ngrohet me batanije kur shkon në shtëpi pas punës.

    Pjesën më të madhe të kohës po më bie të rri ose në makinë duke udhëtuar prej një vendi në një vend tjetër ose në kryeministri, ku kemi një sistem të përgjithshëm të ngrohjes për komplet objektin, e mbrëmë kur kam shkuar shumë vonë në shtëpi jam ngrohur me batanije…”, tha para tre ditësh Kurti, gjatë një konference për media ku foli për krizën energjetike, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, ende nuk dihet se si ngrohet ministrja e Ekonomisë, Artane Rizavnolli, që bashkë me Kryeministrin ishte në konferencën e 15 dhjetorit.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur Rizvanollin se me çka ngrohet në shtëpi, dhe në zyrën e ministrisë që ajo drejton, por nuk ka kthyer përgjigje. Ministrja nuk ka thënë dhe as sa rrymë ka shpenzuar – si në shtëpi, ashtu edhe në zyrë.

    Ndonëse nuk ka folur për energjinë e harxhuar nga ajo, ministrja ka thënë se qytetarët duhet ta kursejnë rrymën në shtëpitë e tyre, dhe jo vetëm.

    Këtë deklaratë e ka theksuar dhe ritheksuar më zë të lartë, dhe vazhdimisht gjatë ditëve të fundit – saqë në një shkrim që e bëri mbrëmë i mori meritat për këtë çështje.  

    “Efekti i thirrjeve për kursim e racionalizim të konsumit të energjisë elektrike veç ka filluar të vërehet. Sipas KOSTT, menjëherë të martën kulmi (peak) i konsumit (1.3 GW), që zakonisht ndodh gjatë ditës, është zhvendosur në orën 23:00. Ky trend i kulmit të konsumit në ora 23:00 (gjatë tarifës së ulët) kur tarifa është 57% më e lirë, ka vazhduar edhe të mërkurën dhe të enjten”, ka shkruar Rizvanolli, transmeton Gazeta Insajderi.

    Madje ministria që ajo drejton ka nxjerrë edhe një manual që tregon se si duhet të veprojnë qytetarët në drejtim me kursimin e energjisë.

    “Gjendje e jashtëzakonshme me energji elektrike”

    Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, paralajmëroi gjendje të jashtëzakonshme me energji elektrike në vend.

    Duke raportuar javën që shkoi në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se situata është pasojë e çmimeve të larta të importit.

    Ajo tha se për import të energjisë elektrike këtë vit janë paraparë 12 milionë euro, por këto mjete, sipas saj, janë shpenzuar vetëm në dy muaj, derisa qeveria mbrëmë vonë ka ndarë edhe 20 milionë të tjera për krizën energjetike në vend.

    Duke parë këtë gjendje, Rizvanolli ka thënë se nuk mund të ketë garanci se çmimi i rrymës nuk do të rritet.

    Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

    Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike nuk kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.

    Ministria e Ekonomisë, ndërkohë, është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2022-2031.

    Kjo strategji, sipas ministrisë, do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht, për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

    Kriza ka nisur tash e sa muaj, kryesisht për shkak të mungesave të gazit dhe rritjes së çmimeve të gazit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Situata me energjinë në vendet tjera të rajonit

    Me krizë energjetike dhe rrjedhimisht rritje të çmimeve përballen edhe vendet e tjera të rajonit.

    Sipas zyrtarëve, Serbia aktualisht konsumon një të tretën më shumë energji elektrike sesa që prodhon.

    Serbia ka pësuar kolapsin e parë energjetik më 12 dhjetor, kur mbi 2,000 nënstacione kanë dalë jashtë sistemit dhe 136,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e borës.

    Disa zyrtarë kanë thënë se është përdorur qymyr me cilësi më të ulët dhe, menjëherë pas kësaj, katër zyrtarë të lartë në industrinë energjetike serbe janë pushuar nga puna.

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë deri në fund të sezonit dimëror, shkruan Gazeta Insajderi.

    Çmimet e energjisë elektrike në Serbi janë rritur për 3.4 për qind më 1 shkurt.

    Në Maqedoninë e Veriut, në ditët në vijim pritet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

    Të tria kompanitë energjetike, të përfshira në prodhim, shpërndarje e faturim, kanë paraqitur kërkesa për rritje çmimesh.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut siguron se rritja nuk do të kalojë 10 përqindëshin.

    Në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq, është paralajmëruar rritje e çmimit të energjisë elektrike vetëm për kompanitë – nga 70 për qind deri në 300 për qind, varësisht nga kontrata./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark