×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    MKRS-ja 28 mijë euro shpenzime nëpër udhëtime, gati 10 mijë euro i harxhoi vetëm ministri Çeku

    Insajderi
    02 January 2024 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Stafi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka harxhuar 28,307 euro për vizita jashtë vendit përgjatë periudhës janar-tetor të vitit 2023. Shpenzime të mëdha kësaj ministrie për udhëtime jashtë vendit i solli ministri i dikasterit, Hajrulla Çeku, bashkë me zëvendësministren, Daulina Osmani. Vetëm Çeku vetë i harxhoi 10 mijë euro jashtë vendit, ndërkaq Osmani harxhoi afro katër mijë euro. Në këto shpenzime përfshihen ato të akomodimit, biletave dhe meditjeve jashtë vendit. Po ashtu, përfshihen edhe drekat e darkat.

    MKRS iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Insajderit për qasje në shpenzime, pasi mediumi dërgoi ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi pas kalimit të afatit ligjor, siç e parasheh Ligji për Qasje në Dokumente Publike.

    Shpenzimet janë të datës nga janari deri në tetor të vitit 2023, ndërkaq në to përfshihen ministri, zëvendësministrat, këshilltarët dhe kabineti i ministrit.

    Ministri Çeku në këtë periudhë ka shpenzuar në total 3,191.30 euro në dreka dhe darka, me mysafirët e pritur në takime.

    Shpenzime nga buxheti i MKRS-së në dreka dhe darka kanë pasur edhe zëvendësministrat. Daulina Osmani për periudhën e lartcekur ka harxhuar 811.70 euro në zyren e zëvendësministres, me mysafirët që ka pritur në takime. Ndërkaq, Sylejman Elshani, po ashtu zëvendësministër, ka të shpenzuara 803.10 euro.

    Harxhime gati sa zëvendësministrat ka edhe një këshilltare e ministrit. Zana Fetiu ka shpenzuar 713.60 euro për dreka dhe darka që nga janari deri në tetor të 2023-ës.

    MKRS-ja ka dhënë detaje edhe se ku dhe me kë i kanë harxhuar paratë e shtetit për dreka dhe darka. Kabineti i ministrit më 17 shkurt të këtij viti kanë shpenzuar 194.60 euro duke shtruar drekë për 10 persona, bashkë me futbollisten me famë botërore Kosovare Asllani.

    Kabineti i MKRS-së shpenzime të mëdha kanë bërë për dy ditë në Hotel Magra Austria, ku në një punëtori dy ditore gjashtë persona kanë harxhuar 450 euro në dreka dhe darka. Qëndrimi i tyre ka qenë në kuadër të një punëtorie për koncept-dokumentin e Sportit në draftin e Strategjisë për Sport.

    “Me datat 14,15 dhe 16.08.2023 në Restaurant Vila Germia është mbajtur punetoria 3 ditore per Rregulloren e brendshme per Kulture, Trashegimi Kulturore, Sport dhe Rini.. Shpenzimet e kësaj punetorie janë në shumën 351.80 €, thuhet në sqarimet e Ministrisë dhënë Insajderit.

    Akomodimi, biletat, meditjet e MKRS-së-

    Ndër shpenzimet më të mëdha në akomodime përgjatë dhjetë muajve të 2023-ës në MKRS, çuditërisht, i ka një këshilltare e ministrit. Nora Arapi Krasniqi, i ka harxhuar 2,168 euro vetëm për akomodime. Ndërkaq, vetë ministri Çeku i ka harxhuar 1,586 euro.

    Në anën tjetër, ‘rekordmene’ e shpenzimeve për akomodim përgjatë udhëtimeve jashtë vendit është Daulina Osmani. Përkundër se numri dy i MKRS-së ka paguar dy herë për akomodime, ajo siç duket ka zgjedhur ambiente luksoze për të qëndruar. Për akomodim në datat 17-23 të qershorit të këtij viti, përgjatë qëndrimit në Berlin të Gjermanisë dhe Krakow të Polonisë ajo ka paguar me para të shtetit 976.50 euro. Ndërkaq, akomodimi përgjatë një qëndrimi pesë ditor në Heraklion të Greqisë në tetor të 2023-ës, Daulina Osmanit i ka kushtuar 1,280 euro.

    Me aeroplan dukshëm më shumë ka udhëtuar ministri Çeku sesa pjesa tjetër e ministrisë së Kulturës. Sipas shpenzimeve që ka në dispozicion Insajderi, Çeku i ka shpenzuar 4,196.93 euro në bileta të aeroplanit.

    Shpenzimet e biletave përfshijnë vizitat e ministrit Çeku në Gjenevë për takim me zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s, udhëtime për në Bruksel dhe udhëtime zyrtare.

    “Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Vjene datat e udhetimit 12-13.01.2023, shuma 573.87 €. Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Gjeneve datat e udhetimit 16-19.01.2023, takim me zyrtar te UEFA DHE FIFA-s, shuma 540.69 €. Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Turqi datat e udhetimit 03-04.02.2023, shuma 324.82 €. Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Lisbone datat e udhetimit 19-21.03.2023, shuma 1,173.94 €. Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Bruksel datat e udhetimit 03-04.04.2023, shuma 514.92 €.  Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Venecia datat e udhetimit 19-20.05.2023, shuma 228.68 €. Shpenzimet per aviobileta per udhetimin zyrtar ne Palermo datat e udhetimit 28-30.05.2023, shuma 385.72 €. Shpenzimet per aviobileta për udhëtimin zyrtar në Heraklion datat e udhëtimit 07-09.09.2023, shuma 454.29 €”, thuhet në sqarimet e MKRS-së për biletat e blera për udhëtim.

    Keq s’ia ka lënë as zëvendësministrja e MKRS-së. Daulina Osmani ka të shpenzuara 1,800.14 euro në bileta për udhëtim me aeroplan. Osmanit vetëm bileta për një vizitë zyrtare në Kongo i ka kushtuar 1,266 euro.

    Këshilltarja që ua ka parë “hairin” më së shumti udhëtimeve është Rozafa Imami. Ajo është paguar 556 euro për mëditje përgjatë udhëtimeve jashtë vendit përbrenda 10 muajve të 2023-ës, gati sa zëvendësministrja. Ndërkaq, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ka më së shumti mëditje të paguara. Për dhjetë muaj, ai ka marrë 948 euro mëditje përgjatë udhëtimeve jashtë vendit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark