Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka shkarkuar dy Komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore.
Këtë e ka bërë të ditur ministri MMPHI-së, Liburn Aliu, në një konferencë për medie.
“Ne kemi marr pëlqim dhe leje ndërtimore në Ferizaj dhe atje do të ndërtojmë iniciator që nënkupton djegien e 100 mijë tonëve të mbeturinave”, tha ai.
Aliu tha se për këtë projekt, dyshon që ka interesa nga dikush. Tha se skandali ka ndodh në kohën sa ka qenë ministër.
“Është projekt i madh dhe normalisht ka interesa, kush e ka dhënë pëlqimin nuk e dimë me emra. Si është bërë dhënia e lejes, pra këto shkelje më kanë interesuar mua. Kur ka ndodh kjo, pra ka ndodh në kohën sa unë kam qenë ministër dhe unë po dal po e denoncoj. Me emra, nuk e di kush e ka nënshkruar, nuk e di as kush e ka dhënë emrat nga autoritetet komunale”, tha tutje Aliu.
E zëvendësministri i këtij dikasteri, Avni Zogiani, tha se procesi i lejeve është përcjell në vazhdimësi me skandale.
“Procesi i lejeve, pëlqimeve ambienatale ka qenë problematik dhe është përcjellë me skandale. Duke u nisur nga kjo, ne kemi kohë që punojmë në reformim dhe na ka marrë kohë sepse bëhet përmes komisioneve”.
“Definitivisht nuk mund të ecim me reformim legjislativ nëse nuk ka reformë edhe në Komisione. Kemi kërkuar nga sekretari që t’i shkarkojë dy Komisione, atë për pëlqimin e lejeve dhe për mbeturina”, tha Zogiani.