×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Mori pushim sabatik nga UP’ja për kërkim shkencor në Salzburg, Jehona Lushaku vazhdon aktivitetin politik në Kosovë

    Insajderi
    17 April 2024 - 16:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Jehona Lushakut nga tetori i vitit të kaluar iu është aprovuar pushimi sabatik, deri në vitin e ardhshëm akademik, deri më 01 tetor të 2024-ës. Ajo kërkesën për këtë pushim e ka parashtruar për “kërkime të fokusuara” në Universitetin e Salzburgut. Në të njëjtën kohë, Lushaku po e ushtron edhe profesionin e Drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Prishtinës, ku po udhëheq LDK’ja me Përparim Ramën.

    Universiteti i Prishtinës iu është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Gazetës Insajderi për qasje në dokumente publike, pasi iu është parashtruar kërkesë lidhur me vendimet për aprovimet/refuzimet e kërkesave për pushim sabatik nga stafi akademik i UP’së.

    Në mesin e disa vendimeve për aprovim të pushimeve një-vjeçare me pagesë të plotë është edhe Lushaku.

    Në vendimin aprovues të UP’së që ka siguruar Insajderi, Lushaku thuhet se ka parashtruar kërkesë që t’i lejohet një vit i lirë me pagesë për “kërkime të fokusuara në Paris Lodron Universitat Salzburg”.

    Vendimi është aprovuar nga dekani i Fakultetit Filozofik, Dashamir Bërxulli. Kohëve të fundit është raportuar lidhur me disa dyshime për pranim ryshfeti nga ky i fundit për aprovim të pushimit sabatik nga ana e Zenun Halilit, profesor në departamentin e Shkencave Politike.

    “Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në mbledhjen e mbajtur me datë 25.9.2023, bazuar në nenin 168, paragrafin 1 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, sipas kërkesës me nr. prot. 3/423, dt. 11.9.2023 të parashtruar nga dekani i Fakultetit Filozofik, prof. asoc. dr. Dashamir Bërxulli, që t’i lejohet një vit i lirë me pagesë për kërkime të fokusuara prof. ass. dr. Jehona Lushakut, mori këtë:

    I, Prof. ass. dr. Jehona Lushaku, mësimdhënëse në Fakultetin Filozofik i lejohet një vit i lirë me pagesë për kërkime të fokusuara në Paris Lodron Universitat Salzburg.

    II: E përmendura si në pikën 1 të këtij vendimi, një vit të lirë me pagesë do ta shfrytëzojë nga data | tetor 2023 deri me datë 1 tetor 2024.

    III: E përmenduri si në pikën 1 të këtij vendimi, pas një viti të kërkimeve të fokusuara ka të drejtë të kthehet në vendin e punës të përcaktuar me kontratë.

    IV. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendimin që ka parë Insajderi.

    Vendimi është marrë para përçarjes së koalicionit LDK-PDK në Prishtinë, së cilës ia pa hairin Lushaku dhe u bë drejtoreshë.

    Insajderi përmes burimeve të saja merr vesh se Lushaku nuk ka dorëzuar raport pune pranë UP’së, ashtu siç përcaktohet me ligj.

    Mediumi ka tentuar të kontaktojë disa herë që dy javë me tashmë drejtoreshën e Komunës së Prishtinës për ta pyetur se sa shpesh ajo ka vizituar Universitetin e Salzburgut të Austrisë dhe nëse ka dërguar raport pune, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.

    Insajderi iu është drejtuar me pyetje rektoratit të UP’së nëse kanë pranuar raport pune nga ana e profesoreshës së LDK’së, mirëpo deri në momentin e publikimit të shkrimit s’ka marrë përgjigje.

    Lushaku-Sadriu është lajmëruar mbrëmë nga Salzburgu, në cilësinë e drejtoreshës së Arsimit, atje ku po kryen kërkimet shkencore. Ajo në postimin e saj në ‘Facebook’ tha se diskutuan për mundësi bashkëpunimi në fushën e arsimit bashkë me drejtoreshën e Arsimit të qytetit të Salzburgut.

    “Bashkë kemi shqyrtuar mundësitë e ndërtimit të një partneriteti në mes të dyja qyteteve me qëllim të bartjes së përvojës austriake në fushën e arsimit. Ky hap do të mundësonte një partneritet në mes të shkollave dhe shkëmbimit të mësimdhënësve dhe nxënësve. Sistemi austriak i organizimit të shkollave tërë-ditore është një model suksesi të cilin Kryeqyteti do t’a ndjekë”, ka shkruar ndër të tjera ajo.

    Përparim Rama në shkurt të këtij viti prishi koalicionin me PDK’në dhe “ristrukturoi” kabinetin e tij komunal.

    Në vend të Donjeta Sahatçiut, Rama nënkryetare e solli Lushakun, e më pas e emëroi edhe drejtoreshë për Arsim.

    Lushaku është edhe anëtare e kryesisë së LDK’së dhe kryetare e forumit të gruas në të njëjtin subjekt politik. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark