Këngëtarja, Demi Lovato, ka deklaruar se t’u thuash qenieve jashtëtokësore “alienë” është ofendim.
Gjatë një interviste të dhënë së fundmi, Lovato shpjegoi për median australiane “PEDESTRIAN.tv” arsyen pse mendon se s’duhet ta përdorim më këtë term.
“Unë mendoj se nuk duhet t’i quajmë më alienë, sepse ‘alien’ është një term nënçmues për çdo gjë. Kjo është arsyeja pse më pëlqen t’i quaj jashtëtokësorë! Pak informacion që kam mësuar,”- u shpreh ajo.
Sipas ‘Fjalorit të Etimologjisë Online’, “alien” vjen nga frëngjishtja e vjetër “alien” dhe latinishtja “alienus“, që të dyja kanë kuptimin “e çuditshme” ose “e huaj“. Në fjalor ka disa kuptime për këtë term. Së pari: “të jetosh në një vend që nuk është i lindjes“, kuptim që daton në mesin e shekullit të 15-të. Së dyti: “krejtësisht i ndryshëm në natyrë”, kuptim që i përket viteve 1670 dhe së treti: “jo i kësaj toke“, kuptim që u regjistrua për herë të parë në vitin 1920.
Njerëzit nuk e kanë pritur aspak mirë këtë deklaratë dhe kanë theksuar faktin se gjërat që Demi thotë në intervista sa vijnë e bëhen edhe më të çuditshme. Madje, pati edhe nga ata që e akuzojnë se gjithçka e thotë për të marrë vëmendje.
Gjatë intervistës, gazetari e pyeti nëse ka diçka që e shqetëson tek sjellja e njerëzve kundrejt UFO-ve dhe ajo u përgjigj:
“Se ata janë të dëmshëm ose se do të vijnë dhe do të pushtojnë planetin. Unë me të vërtetë mendoj se nëse ata do të donin ta bënin këtë, do ta kishin bërë.”
Kohët e fundit, në një intervistë me “E!News”, Lovato tha se dikur ka takuar një qenie jashtëtokësore dhe përvoja ishte e jashtëzakonshme.